Lidhje

Mishkoviç: Serbia nuk do të kthehet në periudhën e errët - 2003-03-17


Analisti i çështjeve të Serbisë, Damjan De Krnjeviç Mishkoviç thotë se megjithë tronditjen që shkaktoi vrasja e kryemninistrit Zoran Xhinxhiç, forcat demokratike në Serbi do të bashkohen dhe në udhëheqje të vendit do të vijnë njerëz të përgjegjshëm. Në një intervistë që i dha kolegut tonë Ilir Ikonomi, zoti Mishkoviç, ndihmës menaxher i revistës National Interest, tha gjithashtu se në vështrimin afatshkurtër është e vështirë të flitet për një dialog midis Beogradit dhe Prishtinës sepse vendi ka nevojë të konsolidohet pas ngjarjes së javës së kaluar.

-Vrasja e kryeministrit Xhinxhiç shkaktoi tronditje të madhe në Serbi. A ekziston rreziku që Serbia të kthehet në periudhën e mëparshme të errësirës?

-Serbia vërtet është e tronditur, por nuk mendoj se ekziston ndonjë rrezik i madh që ajo të rikthehet në errësirë dhe në atë lloj nacionalizmi të sëmurë e në totalitarizmin që karakterizoi periudhën e Millosheviçit. Mendoj se forcat demokratike serbe, nacionalistët e përgjegjshëm dhe ata njerëz që janë për shoqërinë civile do ta gjejnë mënyrën për t’u bashkuar dhe për të reflektuar mbi atë që ndodhi. Kjo më kujton gjendjen e krijuar me vrasjen e Presidentit John Kennedit. Ai pati shumë pak sukses në zbatimin e programit të tij reformist deri në kohën kur u vra në vitin 1963. Pasuesi i tij, Lindon Johnson, në thelb u përpoq të ndikojë tek Kongresi dhe tek njerëzit të cilëve nuk u pëlqenin politikat e Kenedit. Dhe ata u tërhoqën. Kështu, në Amerikë u miratuan ligjet për të drejtat civile dhe për reformën ekonomike. Mendoj se në Serbi do të shikojmë diçka të ngjashme. Ata tani po përpiqen të reflektojnë se kush do të merret me zgjidhjen e problemeve të krijuara, pastaj atje do të zhvillohen zgjedhje, të cilat mendoj se do të vënë në krye njerëz të përgjegjshëm. Natyrisht që rreziqet ekzisojnë, por Shesheli është në Hagë dhe kjo përbën një avantazh të madh.

-Ç’natyrë ka krimi i organizuar në Serbi?

-Në Ballkan në përgjithësi dhe në Serbi në veçanti, ekziston një situatë ku shumë nga ata që kontrollojnë krimin e organizuar janë zyrtarë policie, qoftë ish zyrtarë ose zyrtarë të tanishëm. Në kohën e Millosheviçit, të vetmit njerëz që përfituan nga sistemi ishin ata që kontrollonin levat e terrorit. Këta njerëz arritën të pasuroheshin dhe të sigurojnë pra fuqi financiare dhe ekonomike. Kur ra Millosheviçi, shumë nga këta njerëz qendruan në pozitat e tyre ose dolën në pension por përsëri u lanë të lirë. Kjo sepse asnjë qeveri reformiste nuk mund të bëjë shumë gjëra njëherazi. Është e vështirë që të ndjekësh njerëz të cilët janë të armatosur dhe të pasur njëkohësisht. Kur erdhi koha që Xhinxhiçi, nën trysninë perëndimore, të fillonte të godiste këta njerëz, duket se ata u zotuan për të mos e lejuar të vepronte më tej dhe e vranë.

-Kush mund ta zëvendësojë Zoran Xhinxhin në Serbi nëse mund të gjendet një figurë e tillë?

-Zoran Xhinxhiç nuk ishte një figurë shumë popullore në Serbi. Ai me vështirësi arrinte të kishte 20 përqind të elektoratit, por veprimet e tij të kujtonin një njeri që gëzonte mandatin e popullit, pjesërisht për shkak të trysnisë së Perëdimit. Mendoj se njeriu që ende ka popullaritetin më të madh në Serbi është Vojisllav Koshtunica. Ai ishte njeriu që rrëzoi Millosheviçin dhe njerëzit votuan për të me shumicë dërrmuese. Popullariteti i tij ka rënë paksa por mendoj se kur të zhvillohen zgjedhjet ai ose koalicioni i tij do të fitojë. Ai do të marrë kështu rolin e drejtuesit të reformës dhe të ndryshimeve demokratike dhe do të godasë me vendosmëri krimin e organizuar.

-Tani pas vrasjes së zotit Xhinxhiç, çdo të bëhet me dialogun ende të pafilluar Prishtinë-Beograd?

-Vetë çështja e fillimit të një dialogu Beograd-Prishtinë është një shumë e vështirë. Në Prishtinë, askush nuk është dakord nëse bisedimet duhet të fillojnë. Edhe në Beograd ka mosmarrëveshje për këtë. Por mendoj se tani në Beograd ka një konsensus se ato duhen zhvilluar. Së pari, Beogradi e kupton se ai nuk mund të ketë ato lloj marrëdhëniesh politike që kishte me Prishtinën në të kaluarën e afërt apo të largët. Nëse kjo do të çonte në një pavarësi formale apo jo, nuk mund ta them me siguri. Kjo është natyrisht dëshira e popullsisë shqiptare të Kosovës dhe do të shihet nëse për këtë do të bihet dakord dhe nëse do të miratohet nga komuniteti ndërkombëtar. Megjithatë, në vështrimin afatshkurtër do të jetë e vështirë që të fillojnë bisedimet sepse rrethanat janë të tilla që vendi ka nevojë të konsolidohet dhe duhet ndërtuar një konsensus i ri kombëtar. Sidoqoftë, mendoj se edhe me këtë zhvillim të fundit, do të jetë e vështirë që çështja e diskutimeve për statusin përfundimtar të Kosovës të hiqet nga vemendja e Beogradit. Natyrisht, politikanët do t’i bëjnë një rivlerësim çështjes por për sa kohë që Prishtina të jetë gati për bisedime, nuk shikoj arësye që Beogradi të refuzojë.

XS
SM
MD
LG