Lidhje

Pasuritë kulturore të Irakut - 2003-03-17


Në fjalimin e tij drejtuar popullit amerikan më 1 mars, presidenti George W. Bush, tha se populli i Irakut ka një trashëgimi të shkëlqyer. Iraku, djep i qytetërimit, është vendi i qyteteve të para të botës. Shumë dijetarë mendojnë se shkrimi, bujqësia dhe institucionet qeveritare u zhvilluan për të parën herë atje. Rreth 10 mijë qendra arkeologjike janë identifikuar në Irak.

Thesarët kulturorë të Irakut përfshijnë ndër të tjera vendndodhjen e Babilonisë së lashtë, një qytetërim që lulëzoi rreth 4 mijë vjet të shkuara. Niniva, në Irakun verior, ishte qendra e perandorisë asiriane. Pallatet madhështore, bibliotekat dhe skulpturat e këtij qyteti janë ndër zbulimet më të mëdha të arkeologjisë. Ndërmjet tempujve fetarë të Irakut le të përmendim xhaminë Al Abbas në Karbala, faltore e shenjtë e myslimanëve shiitë. Ruajtja e këtyre thesarëve kulturorë e fetarë të pazëvendësueshëm, do të jetë qëllimi kryesor i Shteteve të Bashkuara, në rast se refuzimi i Sadam Huseinit për t’u çarmatosur e bën luftën të pashmangshme.

Për fat të keq tempujt dhe vlerat kulturore të Irakut po vihen në rrezik nga vetë regjimi i Sadam Huseinit. Iraku me paramendim po vendos trupa dhe pajisje ushtarake pranë qendrave kulturore dhe zonave civile. Të njëjtën praktikë ndoqi Iraku edhe në Luftën e Gjirit Persik në vitin 1991. Gjatë atij konflikti udhëheqës ushtarakë irakianë vendosën dy aeroplanë luftarakë MiG-21 në afërsi të tempullit Ziggurat, ose Tempullit Kullë, të qytetit Ur. Ata shpresonin me këtë t’i shtynin forcat ushtarake të koalicionit, të udhëhequr prej Shteteve të Bsashkuara, të sulmonin aeroplanët ushtarakë irakianë dhe të dëmtonin ose shkatërronin në këtë mënyrë një thesar të kulturës botërore. Por kjo nuk ndodhi. Gjatë gjithë luftës së vitit 1991 Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre u përpoqën me të gjitha forcat të shmangin dëmtimin e qendrave kulturore dhe fetare, apo të civilëve.

Sadam Huseini nuk ka skrupuj. Forcat e tij të sigurimit me paramendim kanë përdhosur xhamitë dhe qendrat e shenjta Shi’a. Këto forca kanë vrarë mijëra civilë irakianë me gaz helmues dhe armë të tjera. Më 1990, gjatë përgatitjeve për Luftën e Gjirit, regjimi i tij arrestoi qytetarë perëndimorë dhe pastaj i përdori ata, së bashku me civilë irakianë, si mburoja njerëzore rreth objekteve ushtarake.

Siç ka thënë presidenti Bush, “ Sadam Huseini ka një histori të gjatë krimesh të egra, sidomos në kohë lufte, bile edhe kundër vetë qytetarëve irakianë. Në se lufta fillon, ai mund të vërë në shënjestër civilë, ose t’i vendosë ata brenda qendrave ushtarake.” Rrezikimi me paramendim i civilëve dhe i qendrave kulturore e fetare përbën një shkelje të rëndë të ligjeve të luftës. Në se regjimi irakian ndjek këtë rrugë, ai do të mbajë përgjegjësi për këtë.

//rd//

XS
SM
MD
LG