Lidhje

Presidenti Bush: Amerikës dhe aleatëve tanë, u bëhet thirrje për të mbrojtur paqen kundër një tirani agresiv - 2003-03-17


Ish-udhëheqësi britanik Uinston Çërçill ka thënë se Lufta e Dytë Botërore duhej të ishte quajtur ”lufta e panevojshme”, për arsye se, sipas fjalëve të tij, ”asnjëherë nuk ka patur një luftë, e cila shumë thjeshtë, mund të ishte ndaluar”. Ato që Çërçilli donte të thonte me këto fjalë, i shpjegoi më qartë Nën-sekretari amerikan i Shtetit Pol Uolfouic. Për vite me radhë, theksoi zoti Uolfouic, ”Bota i lejoi nazistët gjermanë të ndërtonin një makinë lufte, duke shkelur hapur marrëveshjet ndërkombëtare. Për vite me radhë, nuk u bë asgjë, megjithë paraljamërimet e Çërçillit dhe të tjerëve, dhe pavarësisht nga fakti se udhëheqës të guximshëm mund të kishin ndalur me lehtësi kërcënimin që po krijohej”.

Në kohën kur udhëheqësit perëndimorë e kuptuan rrezikun që përbënte diktatori gjerman Adolf Hitler, ishte tepër vonë. Ai tashmë kishte ndërtuar një makinë të fuqishme lufte. Udhëheqësit perëndimorë atëhere u përpoqën ta qetësonin Hitleritn dhe rezultati, - një luftë e tmerrshme botërore.

Sot, bota përballet me një situatë të ngjashme, në trajtimin e krizës së Irakut. Por rreziku nuk qëndron në faktin që Iraku do të krijonte një ushtri tepër të fuqishme. Rreziku qëndron në faktin se diktatori irakian Saddam Hussein do të siguronte një arsenal të fuqishëm armësh kimike, biologjike dhe bërthamore, të cilat ai mund t’i përdorte ndaj fqinjëve të tij, apo t’ua jepte ato terroristëve.

Për rreth 12 vjet, Sadam Husseini nuk ka marrë parasysh kërkesat e OKB-së për eliminimin e programeve të armëve të shkatërrimit në masë. Megjithatë, thotë zoti Uolfouic, ne ”dëgjojmë thirrje që Saddam Husseinit t’i jepet më tepër kohë; por ajo që duhet të bëjmë, është të shtrojmë pyetjen: për sa kohë duhet të presim? Dhe për çfarë?”

”A duhet të presim, tha Nën-sekretari amerikan i Shtetit Uolfouic, ”deri sa anëtarët e radhëve të para të koalicionit tonë të ndjejnë tensionin për t’i rezistuar Irakut? Derisa njerëzit në Irak, të cilët janë të gatshëm të na ndihmojnë, të mos kenë më shpresa? Apo deri kur Saddam Husseini t’i japë fund përgatitjes së armëve të shkatërrimit në masë-armë të cilat do të rrezikojnë edhe më tepër trupat tona, apo të cilat ai mund t’i përdorë ndaj popullit irakian, ashtu sikurse ka vepruar në të kaluarën?”

”Amerikës dhe aleatëve tanë, tha presidenti Xhorxh W. Bush, ”u bëhet thirrje për të mbrojtur paqen kundër një tirani agresiv dhe ne e pranojmë këtë përgjegjësi. Ne nuk jemi të mendimit se liria dhe çlirimi i vendeve janë dhuratat që i jep Amerika botës: ne jemi të mendimit se ato janë dhuratat e të plotfuqishmit Zot ndaj njerëzimit. Dhe për popullin e shtypur të Irakut, dita e lirisë po afrohet.”// lk //

XS
SM
MD
LG