Lidhje

Cërvenkovski: Nuk do të ketë ofensivë pranverore - 2003-03-17


Kryeministri maqedonas Branko Cërvenkovski, theksoi sot (17 mars) në Shkup se në këtë vend nuk do të ketë ofensivë pranverore. Kryeministri, i cili i bëri këto komente pas takimit të tij me një delegacion të socialistëve bullgarë, tha se megjithatë rreziqet nuk duhet të nënvlerësohen.

"Nuk duhet të nënvlerësohen rreziqet. Ato ekzistojnë. Incidente do të ketë dhe askush nuk mund të garantojë se ato nuk do të ndodhin. Por nuk duhet të ketë lëvizje nga kursi i përgjithshëm drejt evropizimit të Ballkanit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe ekstremizmit, pavarësisht se nga cila anë dhe me cfarë qëllimi vijnë", tha kryeministri maqedonas.

Kryeministri Cervenkovski vlerësoi marrëveshjen e arritur me Bashkimin Demokratik për Integrim, duke theksuar se cështja e kufirit, është cështje e mbyllur për Maqedoninë. Zoti Cervenkovski tha gjithashtu se cdo kaos apo destabilizim i mundshëm i gjendjes në Kosovë do të kishte pasoja për vende të tjera në rajon, qoftë në Maqedoni, qoftë në Shqipëri, qoftë në vende të tjera. Zoti Cërvenkovski theksoi gjithashtu se e ardhmja e Maqedonisë varet nga mënyra si do të zgjidhen punët brenda këtij vendi.

"Për gjithë rajonin është e rëndësishme nëse Kosova do të jetë territori me rend, ndoshta shumë më e rëndësishme nga ajo nëse Kosova do të jetë shtet i pavarur apo pjesë e ndonjë federate. Nëse do të jetë shtet me rregull, ku sundon ligji dhe rregullat, ku ka institucione që do të mbrojnë këto rregulla, kjo do të jetë shenjë apo sinjal stabiliteti për gjithë rajonin", tha kryeministri maqedonas.

Zoti Cervenkovski theksoi gjithashtu mbështetjen e qëndrimit amerikan për irakun duke përsëritur se Maqedonia do të ofrojë aeroportet dhe hapësirën e saj ajrore dhe forcë njerëzore në kohën pas konfliktit të mundshëm me Irakun.

Po sot u njoftua për shpërthimin e një bombe në kufirin midis Maqedonisë dhe Serbisë jugore në pjesën e luginës së Preshevës, e cila shkaktoi vetëm dëme materiale, por jo viktima në njerëz. Bomba shpërtheu në pjesën brenda Maqedonisë rreth orës pesë të mëngjesit pak minuta pasi kishte kaluar një tren local. Nuk ka ende të dhëna për autorët apo motivet e këtij incindenti.

//rd//

XS
SM
MD
LG