Lidhje

Bagdadi hedh poshtë ultimatumin e presidentit Bush - 2003-03-18


Udhëheqja irakiane hodhi poshtë zyrtarisht ultimatumin e presidentit Bush që presidenti Sadam Husein të largohet nga vendi ose të përballet me ndërhyrje ushtarake.

Televizioni shtetëror irakian njoftoi se vendimi për të hedhur poshtë ultimatumin u morr sot në një takim të përbashkët të Partisë Bath në pushtet dhe organit vendim-marrës të vendit, Këshilli i Komandës Revolucionare.

Takimi u mbajt në Bagdad dhe u kryesua nga vetë presidenti Husein. Edhe djali i udhëheqësit irakian, Udei Husein, e hodhi poshtë ultimatumin amerikan, në të cilin përfshihet vetë Udei dhe vëllai i tij, Kusei.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, e cilësoi vendimin për të hedhur poshtë ultimatumin si gabimin e fundit të Sadam Huseinit. Ai u tha gazetarëve se presidenti Bush ende shpreson se udhëheqësi irakian do ta shqyrtojë seriozisht ultimatumin dhe të shkojë në mërgim.

Zoti Fleischer nuk përjashtoi mundësinë e një sulmi amerikan kundër Irakut para se të përfundojë afati prej 48 orësh për largimin e presidentit Husein. Afati i caktuar nga presidenti Bush përfundon të enjten në orën 1 sipas Grinuiçit.

Qeveria irakiane organizoi sot demonstrata në Bagdad, ku mijëra irakianë, shumë prej tyre të armatosur, morën pjesë për të treguar besnikërinë e tyre ndaj Sadam Huseinit. Më pas, presidenti Husein doli në televizionin irakian, një nga paraqitjet e tij të ralla në uniformë ushtarake.

Në fjalimin e tij të djeshëm, presidenti Bush tha se në qoftë se udhëheqësi irakian dhe djemtë e tij kundërshtojnë të largohen nga vendi brenda afatit, Shtetet e Bashkuara do të fillojnë veprimet ushtarake.

//rd//

XS
SM
MD
LG