Lidhje

Blix: afrimi i luftës me Irakun një moment i trishtueshëm - 2003-03-18


Krye-inspektori i Kombeve të Bashkuara për armët, Hans Blix, e cilësoi afrimin e luftës me Irakun si një moment të trishtushëm, por shtoi se nuk beson që Bagdadi do të përdorë armë kimike dhe biologjike kundër trupave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Zoti Blix do të njoftojë sot Këshillin e Sigurimit lidhur me çështjet e çarmatimit të Irakut, vetëm disa orë para afatit për fillimin e luftës. Ministrat e jashtëm të 7 prej 15 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit do të marrin pjesë, por sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se nuk do të marë pjesë.

Zoti Blix tha se mbi 100 inspektorët e armëve në Irak u larguan të sigurtë nga ai vend, duke i dhënë kështu fund përpjekjeve 12 vjeçare për çarmatimin e Irakut nëpërmjet inspektimeve.

Ndërkohë. ligjvënësit britanikë i siguruan fitoren kryeministrit Toni Blair dhe miratuan një rezolutë të qeverisë, në të cilën i bëhej thirrje Britanisë që të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të çarmatosur Irakun.

412 anëtarë të Dhomës së Komuneve votuan dje vonë pro rezolutës dhe 149 ligjvënës e kundërshtuan atë. Votimi u mbajt pak minuta pasi ligjvënësit hodhën poshtë një amendament, në të cilin lufta cilësohej si e pamoralshme.

Votimi nxiti një revoltë të ndjeshme në partinë Laburiste të kryeministrit Blair, 130 anëtarë të së cilës votuan kundër luftës. Kryeministri nuk ka nevojë për miratimin e parlamentit që të dërgojë në luftë ushtarët britanikë. Por analistët politikë thonë se po qe që lufta ka pasoja negative, një gjë e tillë mund të rrezikonte të ardhmen politike të zotit Blair.

//ze//

XS
SM
MD
LG