Lidhje

Presidenti Bush i jep ultimatumin udhëheqësit irakian - 2003-03-18


Udhëheqësi irakian Sadam Husein ka tani më pak se 48 orë afat për t’u larguar nga vendi ose përndryshe do të ndeshet me veprime ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti Bush e nxori këtë ultimatum në një fjalim të transmetuar mbrëmë.

Fjalimi i ndali zyrtarisht përpjekjet diplomatike dhe përcaktoi afatin kohor për fillimin e një lufte të mundshme. Presidenti Bush tha se Sadam Huseini dha familja e tij duhet të largohen nga Iraku:

“Kundërshtimi i tyre për ta bërë një gjë të tillë do të rezultojë në fillimin e konfliktit në një moment që ne ta shohim të përshtatshëm,” theksoi presidenti Bush.

Ndërkohë që rreth 250 mijë trupa janë vendosur pranë kufijve të Irakut, presidenti tha se sigurimi i botës kërkon ndërmarrjen e veprimeve për ta çarmatosur regjimin irakian:

“Nëse Sadam Huseini zgjedh ballafaqimin, populli amerikan duhet ta dijë se është marrë çdo masë për të shmangur luftën dhe se do të merret çdo masë për ta fituar atë,” tha zoti Bush.

Presidenti shprehu zhgënjimin e tij prej Kombeve të Bashkuara, ku anëtarë kryesorë të Këshillit të Sigurimit iu kundërvunë një projektrezolute të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, e cila kërkonte zbatimin e kërkesave për çarmatim. Projektrezoluta nuk u hodh në votë, si rrjedhojë e kërcënimit të Francës se do të vinte veton. Megjithëse presidenti nuk e përmendi në veçanti Francën, fjalët e tij ishin të qarta: “Disa anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit kanë deklaruar publikisht se do t’i vënë veton çdo projektrezolute që bën të detyrueshëm çarmatosjen e Irakut. Këto qeveri kanë të njëjtin mendimin si ne lidhur me rrezikun që paraqitet, por nuk tregojnë të njëjtën vendosmëri për t’u përballur me të,” theksoi presidenti.

Ai tha se Këshilli i Sigurimit nuk i ka përmbushur përgjegjësitë e tij, prandaj Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të përballen me këtë sfidë. Presidenti hodhi poshtë pohimet se ai nuk gëzon autoritetin për të urdhëruar veprime ushtarake për çarmatimin e Irakut, duke përmendur një numër rezolutash të mëparshme të Kombeve të Bashkuara për çarmatim:

“Këtu nuk është fjala për autoritet, por për vullnetin e duhur,” theksoi zoti Bush.

Presidenti foli ngadalë dhe me vendosmëri dhe u përcolli një paralajmërim forcave ushtarake irakiane, duke u bërë thirje të mos luftojnë për “një regjim që po jep shpirt.”

“Në çdo konflikt, fati juaj do të varet nga veprimet tuaja. Mos shkatërroni puset e naftës, këtë burim pasurie që i përket popullit irakian. Mos iu bindi komandave për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë kundër ndokujt, përfshirë edhe popullin irkian,” tha presidenti.

Ai i siguroi burrat, gratë dhe fëmijët e Irakut se së shpejti do të jetojnë në një vend të lirë dhe ritheksoi premtimet për ndihma dhe përkrahje.

“Në një Irak të lirë nuk do të ketë më luftra agresioni kundër fqinjëve tuaj, as fabrika helmesh, ekzekutime për disidentët, dhoma torturash apo përdhunimesh. Tirani do të hiqet së shpejti. Dita e çlirimit tuaj është pranë,” tha presidenti.

Zoti Bush nuk ka planifikuar veprimtari publike për sot. Pritet që presidenti të mos dalë në publik deri në përfundim të afatit 48 orësh që skadon nesër në mbrëmje, sipas orës vendore në Washington. Nëse ushëheqësi irakian nuk pranon të largohet në mërgim, ka mundësi që në fjalën e tij të ardhshme presidenti Bush të njoftojë fillimin e veprimeve ushtarake. //ad//

XS
SM
MD
LG