Lidhje

Shirak:ultimatumi i presidentit Bush vendim i njëanshëm - 2003-03-18


Presidenti francez, Zhak Shirak, tha se ultimatumi i presidentit Bush për udhëheqësin irakian ishte vendim i njëanshëm që sipas tij bie në kundërshtim me vullnetin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Shirak paralajmëroi përmes një deklarate se mospërfillja e opinionit ndërkombëtar mbartë përgjegjësi të mëdha. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha dje se qeveria e tij kërkon që problemi të zgjidhet vetëm në mënyrë paqesore, kurse Kina thotë se u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë të tregohen të matura në marrjen e vendimit nëse të hyjnë në luftë apo jo. Një numër ambasadorësh në Kombet e Bashkuara thanë se do t’i vazhdojnë përpjekjet për të shmangur luftën.

Ndërkaq, kryeministri britanik, Toni Blair, po përpiqet të sigurojë mbështetjen e ligjvënësve nga Partia e tij Laburiste në prag të debatit parlamentar lidhur me veprimin ushtarak kundër Irakut. Pritet që shumica e ligjvënësve laburistë dhe ligjvënësit konservatorë të opozitës të mbështesin vendimin e qeverisë për të marrë pjesë në luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut.

Mirëpo, pritet që një numër i madh anëtarësh të Partisë Laburiste të votojnë kundër. Udhëheqësi i Partisë së kryeministrit Blair në Dhomën e Komuneve të parlamentit britanik, ish sekretari i jashtëm, Robin Kuk, dha dje dorëheqjen duke thënë se nuk mund të mbështeste një luftë që nuk kishte mbështetjen e popullit britanik dhe as atë të Kombeve të Bashkuara.//xh//

XS
SM
MD
LG