Lidhje

Shqipëria, Kosova mbështesin një ndërhyrje amerikane në Irak - 2003-03-18


Shqipëria mbetet në mbështetje të hapur të çdo ndërhyrje që do të sigurojë se në të ardhmen nuk do të vijë rrezik nga përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë.

Edhe një herë, sot (18 mars), nëpërmjet Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtë Ilir Meta, Tirana rikonfirmoi qëndrimin e saj lidhur me krizën irakiane. Zoti Meta theksoi se zgjidhja më e mirë ishte ajo diplomatike dhe paqësore, por zgjidhja më e keqe sipas tij është të vazhdohet pafundësisht në këtë mënyrë dhe që regjimi i Sadam Huseinit të shndërrohet në një precedent për të mbajtur peng paqen. Ministri i Jashtëm shqiptar thekoi se Tirana bën përgjegjës regjimin e Irakut për mungesën e bashkëpunimit të plotë e pa kushte:

“Ne nuk do të mungojmë të solidarizohemi gjithmonë në cdo koalicion ndërkombëtar kundër terrorrizmit apo dhe regjimeve që ushqejnë dhe e nxisin atë”.

Shqipëria që në fillim të krizës u rreshtua hapur përkrah Shteteve të Bashkuara dhe veprimeve të ndërmarra prej saj. Qeveria dhe parlamenti vendosi të ofrojë të gjithë hapësirat e saj ajrore, detare dhe tokësore, si dhe të dërgojë një kompani komando në Gjirin Persik.

Për këtë qëndrim qeveria shqiptare ka marrë ditët e fundit mesazhe falenderimi nga zyrtarët më të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit.

Dje, presidenti Bush i dërgoi një letër kryeministrit shqiptar Fatos Nano ku i shpreh mirënjohje për mbështetjen që i është dhënë deri tani luftës globale kundër terrorizmit duke shtuar se “këto veprime evidentojnë edhe me shumë rolin e Shqipërisë si një kontribues i rëndësishëm i sigurisë rajonale dhe globale”

KOSOVË: Institucionet mbështesin veprimet e Shteteve të Bashkuara në Irak

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës shprehën sot përkrahjen e plotë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veprimet e tyre në Irak. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi tha në një prononcim për Zërin e Amerikës se tashmë janë shterrur të gjitha mundësitë për zgjidhjen paqësore dhe nuk ka mbetur rruge tjetër e veprimit ndaj diktatorit irakian.

“Ai ka përdorur taktikën e ngjashme sikurse Millosheviqi dhe ata tjetër gjuhë pos gjuhës së forcës, nuk njohin. Prandaj ne e kemi shprehur edhe më herët se në përgjithësi qytetarët e Kosovës janë në përkrahje të këtyre përpjekjeve. Edhe pse ne e dimë se si një shtet I vogël në formim, nuk kemi potencial të madh, moralisht qëndrojmë pas këtyre aksioneve”, theksoi kryeministri Rexhepi.

Ndërkaq Muhamet Hamiti shef i zyrës për informim të presidentit Ibrahim Rugova tha se pas dështimit të përpjekjeve për zgjidhjen paqësore, përballja me të keqen kërkon mjete tjera.

“Lufta në shërbim të paqes bëhet zgjidhje imperative. Lufta në fund të fundit ka sjellë paqen në Kosovë dhe këtë e dinë të gjithë”, tha zoti Hamiti.

Nga ana e tyre forcat paqëruajëse dhe UNMIK-u thanë se puna e tyre e përditshme nuk ka pësuar ndonjë ndryshim. Një zëdhënës i KFOR-it tha se misioni i tyre në Kosovë, është krejt i ndryshëm nga ai në Irak, prandaj, forcat paqëruajtëse mbeten të përqëndruara në vendosjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG