Lidhje

Presidenti Bush njofton zyrtarisht Kongresin për luftën - 2003-03-19


Shtëpia e Bardhë paralajmëroi amerikanët të përgatiten për një luftë me Irakun që do të shkaktojë humbje jetësh dhe do të zgjasë për një kohë të pacaktuar. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha se shpreson që konflikti të jetë sa më i shkurtër, por shtoi se ka shumë gjëra që nuk dihen.

Presidenti Bush është kritikuar nga disa udhëheqës demokratë të Kongresit, të cilët kanë thënë se publiku amerikan nuk është përgatitur për koston e luftës në Irak, si në njerëz ashtu edhe në vlerë monetare. Presidenti Bush e njoftoi sot zyrtarisht Kongresin përmes një letre se përpjekjet diplomatike për çarmatimin e Irakut dështuan, duke sinjalizuar synimin e tij për të shkuar drejt veprimit ushtarak.

Në letrën e tij, presidenti Bush shkruante se “Mbështetja e Shteteve të Bashkuara vetëm tek diplomacia dhe mjetet e tjera paqësore, nuk do të mbrojë si duhet sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara nga kërcënimi i vazhdueshëm që paraqet Iraku dhe duket se nuk do të çonte në zbatimin e rezolutave të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Irakun”.

Presidenti tha gjithashtu se përdorimi i forcës kundër Irakut është “në përputhje me luftën kundër terrorit” dhe e lidh Irakun me organizatën terroriste al-Kaida.

Presidenti shton se në bazë të rezolutës 14-41 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara kanë autoritetin ta detyrojnë Irakun që të përmbushë kërkesat e Kombeve të Bashkuara.

Në tetor të vitit të kaluar Kongresi amerikan miratoi një rezolutë ku i kërkohej presidentit t’i dërgonte një njoftim zyrtar organit ligjvenës para ndërmarrjes së veprimit ushtarak.

Megjithëse rezoluta atëhere u miratua me shumicë dërmuese si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat, disa kundërshtarë të luftës në Kongres donin që presidenti të rikthehej në Kongres për një votim tjetër në rast se do të fillonte luftën.

XS
SM
MD
LG