Lidhje

Kush është Saddam Husseini? - 2003-03-19


Udhëheqësi irakian Saddam Hussein e ka hedhur poshtë ultimatumin e Shteteve të Bashkuara për tu dorëzuar duke e bërë të pashmangëshme ndërhyrjen ushtarake në Irak. Por cili është ky njeri dhe si ka arritur ai të qendrojë në pushtet kaq gjatë duke e sfiduar hapur komunitetin ndërkombëtar?

Saddam Husseini shkoi në Bagdad kur ishte 9 vjeç për të jetuar me xhaxhanë e tij, i cili e edukoi me ëndrrat e lavdisë arabe. Me një edukim të tillë Saddami i hyri rrugës për të pëmbushur ambiciet e tij. Saddam Husseini për shumë vetë është thjesht një vrasës dhe tiran, i aftë të mbysë me gaz dhe të vrasë popullin e vet.

Por në Irak ai shihet si një udhëheqës i madh. Po kush është Saddam Husseini dhe cilat janë motivet e tij? Cila është e vërteta rreth tij? Psikologu i politikës, Jerrold Post, i cili ka shkruar shumë për jetën e Saddam Husseinit, shpjegon:

”Ky udhëheqës nuk është aspak i çmendur, ai është racional në llogaritjet që bën, por shpesh i bën llogaritë gabim për dy arsye. Së pari, ai rrethohet nga servilë të cilët i thonë ato që pëlqejnë të dëgjojë, se sa ato që duhet të dëgjojë, dhe kjo e çon në vendime të gabuara. Së dyti, ai është shumë etnocentrik dhe i sheh gjërat me syrin e Lindjes së Mesme, megjithëse kjo ka ndryshuar me kalimin e kohës.”

Shumë vetë mendojnë se Sadami përdor frikën për të kontrolluar çdo aspekt të regjimit të tij. Gjatë viteve, mijëra njerëz janë zhdukur. Ja se si shprehet Kanan Makiya, autor librit ”Republika e Frikës”.

”Metoda e Sadamit për trajtimin e armiqve të tij, për eliminimin e njerëzve që një ditë ai druhet se mund të kthehen kundër tij, është e ngjashme me Stalinin, i cili me dyshimin më të vogël se dikush mund të bëhej një ditë kundërshtar i tij, e dërgonte atë dhe njërëzit përrreth nëpër kampe.”

Qeveria irakiane vazhdimisht u është shmangur kërkesave për të dhënë intervista zyrtare lidhur këtë aspekt të Saddam Husseinit. Sidoqoftë, në të kaluarën. Saddam Husseini është përpjekur t’u shmanget kritikave ndaj tij, duke thënë se ata që e kritkojnë kanë qëllime të mbrapshta. Sa se si iu drejtua ai popullit irakian në muajin janar.

”Armiqtë kanë shumë synime prapa kësaj zhurme dhe thirrjesh të shfrenuara për vetmbrojtje. Por Iraku nuk është objektivi i vetëm në këtë konfuzion. Synimi i tij është të frikësojë njerëzit ose ta përdorë zhurmën për të mbuluar agresionin kur e keqja ta shtyjë drejt tij.”

Për taktikat e Sadamit është folur shumë që nga viti 1979, kur ai mori pushtetin në Irak. Një nga veprimet e tij të para ishte spastrimi me metoda staliniste i të gjithë zyrtarëve të partisë Baath, tek të cilët ai nuk kishte besim.

”Në një rast, ai ngrihet, shkon drejt podiumit dhe për çudinë e të gjithëve, njofton se është zbuluar një komplot kundër regjimit, pastaj fillon të thotë emrat e pjestarëve të komplotit që ndodhen në sallë, të ulur përballë tij. Ndërsa ai shqipton emrat, ata nxirren zvarrë nga salla i heqin nga salla, disa prej tyre duke protestuar se janë të pafajshëm. Kjo skenë makabre ndodhte ndërkohë që vetë Sadami lexonte emrat shumë ngadalë, me një zë të qetë dhe metodik. Atij bile i dalin lotë nga sytë ndërsa lexon emrat. Tani ne e dimë se e gjithë kjo ishte e sajuar.”

Fawazi al-Shamari, ish gjeneral irakian në vitet 80, i cili e ka takuar Saddamin shumë herë, thotë se Saddam Husseinit i pëlqen të shikojë kur të tjerët torturohen.

”Shefi i zbulimit në atë kohë ishte një mik i imi. Ai më tregoi se si një herë, kur kishte instaluar kazanin me acid, Saddam Huseini shkoi bashkë me të dhe me disa roje për të parë. Ata sjellin aty kuadro politike dhe ushtarake dhe i varin me kokë poshtë në kazan. Pas kësaj skene, Saddami vazhdon të thithë puron e tij dhe të qeshë, tregon ish gjenerali.”

Por për armët e shkatërrimit në masë?

”Po ju them, siç ju kam thënë shumë herë më parë se Iraku nuk ka armë të shkatërrimit në masë,” deklaroi në një fjalim Saddam Husseini.

Por gjeneral al-Shamari mendon se Saddami do të përdorë çdo gjë që është e mundur për të përballuar një ndërhyrje ushtarake.

”Saddam Huseini pagoi miliona dollarë për të blerë armë kimike jo për të luajtur me to, sepse kjo do të ishte jo logjike, por për t’i përdorur ato. Dhe ai do t’i përdorë ato,” thotë ish gjenerali.

”Besoj se se ai do të urdhërojë përdorimin e armëve bio-kimike kundër forcave të aleancës në rajon dhe do të përpiqet t’i përdorë ato kundër Izraelit,” thotë analisti Jerrold Post.

Gjatë 20 viteve të fundit Saddami ka demonstruar aftësinë e tij për të qendruar në pushtet. Por ata që e kanë studiuar atë me kujdes besojnë se kriza e tanishme do të jetë momenti më i vështirë për të.

XS
SM
MD
LG