Lidhje

SHBA dhe Iraku përgatiten për luftë, Sadam Huseini hedh poshtë ultimatumin e Presidentit Bush - 2003-03-19


Presidenti Bush është angazhuar në planifikimet e minutës së fundit për ndërhyrje ushtarake kundër Irakut, pasi Sadam Huseini hodhi poshtë ultimatumin amerikan për t’u larguar nga vendi.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Flajshër, thotë se Presidenti Bush shpreson ende që Presidenti Sadam dhe të bijtë, Udej dhe Kusej, të largohen nga Iraku.

Si Amerika, ashtu edhe Iraku, po përgatiten për luftë, ndërsa afron afati i caktuar për largimin e udhëheqësit irakian sonte në mbrëmje sipas orës së Washingtonit.

Sadam Huseini u paraqit dje në televizionin irakian gjatë mbledhjes me Këshillin e tij të Komandës Revolucionare, organi më i lartë vendim-marrës në vend. Këto ishin pamje, të cilat Bagdati dëshëronte që populli irakian ta interpretonte si shfaqje vendosmërie përballë ultimatumit të Presidentit Bush.

“Sadam Huseini dhe djemtë e tij duhet të largohen nga Iraku brenda 48 orësh. Refuzimi do të rezultojë në konflikt ushtarak”, ishte ultimatumi i Presientit Bush.

Ky i fundit, nuk doli dje në publik, por zëdhënësi i tij, Ari Flajshër, u tha gazetarëve se refuzimi i Sadam Huseinit për t’u larguar do të ishte gabimi i fundit që bën ai.

“Presidenti e tha fare qartë për popullin amerikan se, nëse Sadami largohet, forcat amerikane, forcat e koalicionit, përsëri, do të hyjnë në Irak, duke shpresuar se kjo do të bëhej në mënyrë paqësore, sepse ushtria irakiane nuk do të ishte nën urdhra për të sulmuar apo për tu kundërpërgjigjur dhe kështu Iraku do të çarmatosej nga armët e shkatërrimit në masë”, tha zëdhënësi Flajshër.

Por Ministri i Jashtëm i Irakut, Naxhi Sabri, kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë. Iraku, tha ai, ka hequr dorë nga armët bërthamore, kimike e biologjike, siç është kërkuar nga Kombet e Bashkuara.

“Iraku ka përmbushur çdo kërkesë në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Topi tani është në fushën e luftëdashësve të Washingtonit. Është zoti Bush ai që duhet të largohet nga vendi, sepse ai po vë në rrezik një botë të tërë”, tha ministri i jashtëm irakian.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, niveli i gatishmërisë u ngrit përsëri. Qeveria po i paralajmëron amerikanët për mundësinë e sulmeve terroriste në rast të një lufte. Janë shtuar masat mbrojtëse për gjithçka, që nga aeroportet e deri tek rezervat e ushqimeve. Sekretari i Sigurimit Kombëtar, Tom Rixh, pret se ata, që përpiqen të godasin Amerikën, mund ta bëjnë këtë ndërkohë që Shtetet e Bashkaura janë të angazhuara në luftë. “Këtë herë, ne përsëri kemi jo vetëm informacion të besueshëm nga strukturat tona të zbulimit, por vetë bin Laden është shprehur javët e fundit se ndërhyrja ushtarake në Irak do të jetë një kushtrim”, tha Sekretari Rixh.

Forcat britanike dhe amerikane përbëjnë pjesën më të madhe prej 250 mijë trupash të gatshme të sulmojnë Irakun, sapo Presidenti Bush të japë urdhër. Në mungesë të një mandati të Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Shtetit, Kolin Pauëll, thotë se rreth 30 vende kanë pranuar të marrin pjesë në atë që administrata amerikane e quan koalicioni i vendeve të gatshme për të çarmatosur Irakun. Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Flajshër pranon se vetëm një numër i vogël i tyre do të përfshihen konkretisht në luftime.

//ze//

XS
SM
MD
LG