Lidhje

Policia maqedonase dhe Interpoli në kërkim të personit që akuzon kryeministrin Cervenkovski - 2003-03-19


Ministria e Brendshme e Maqedonisë thotë se pas hetimeve të bëra nga një grup i krijuar me urdhër të ministrit të brendshëm Hari Kostov, në lidhje me akuzat e bëra nga Petrit Ame, i njohur në Maqedoni për lidhjet e tij me grupe kriminale, nuk ka të dhëna që kryeministri Branko Cërvenkovski të ketë kërkuar apo ndihmuar për lirimin e këtij personi nga të paktën 15 vepra penale për të cilat akuzohet.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Radivoje Jovanovski, tha sot në Shkup se dëshmia e Petrit Ames dhënë para shërbimit sekret maqedonas përbën 5 kaseta material nga të cilat 3 përmbajnë materiale operative. Të gjitha konsiderohen materiale tepër sekrete

“Nuk kemi prova për ato që ka thënë Petrit Ame”, tha zoti Jovanovski.

Petrit Ame, i cili tani konsiderohet i zhdukur, pasi vdekja e tij nuk është konfirmuar zyrtarisht asnjëherë, në dëshminë e tij të filmuar, thotë se ka punuar me vëllain e kryeministrit malazez Millo Gjukanovic, me tregti armësh, duke kaluar nga Beogradi në Mal të Zi e më pas në Itali.

Ame thotë gjithashtu se ka punuar me kontrabandën e naftës gjatë kohës së sanksioneve ndaj Serbisë, përmes Genc Rulit në atë kohë Ministër i Financave në Shqipëri, me deputetin e vrarë Azem Hajdari, si dhe më pas me Zhelko Razhnjatovic, Arkanin, shefin e paramilitarëve serbë. Petrit Ame thotë se në numrin e miqve që e kanë ndihmuar për të shpëtuar nga burgosjet, ka qenë edhe kryeministri i tanishëm i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski.

Sipas Ministrisë së Brendshme, Ame është dënuar me 15 ditë burg dhe është liruar më pas. Ministria e Brendshme, e cila pohon veprat penale të Petrit Ames, nuk pohon, as nuk hedh poshtë nëse ai ka punuar edhe si bashkëpunëtor i shërbimit sekret maqedonas apo jo. Për Petrit Amen ka urdhër arresti të dyfishtë qoftë brenda Maqedonisë, qoftë nga Interpoli, ndërkohë që pohohet se ka punuar në tregtinë ilegale me armë, drogë, naftë, cigare.

Ministria e Brendshme ka thënë se është e gatshme të marrë në pyetje të gjithë personat që përmenden nga Petrit Ame, mes të cilëve kryeministri Cërvenkovski, ish-kryetari i parlamentit Stojan Andov dhe të tjerë.

Po sot (19 mars) presidenti maqedonas Boris Trajkovski theksoi se trafikimi i armëve te lehta në Maqedoni dhe në rajon kërcënon jo vetëm sigurinë e një vendi por të Evropës në përgjithësi. Zoti Trajkovski theksoi gjithashtu se mbledhja e armëve ilegale është një process i gjatë dhe se duhet të merren masa legjislative për këtë. Po sot u bë e ditur se ministria e jashtme e Maqedonisë ka krijuar një shtab krize për të ndjekur gjendjen në irak.

//rd//

XS
SM
MD
LG