Lidhje

Kryqi i Kuq kërkon 235 milion dollarë ndihma për irakianët - 2003-03-20


Kryqi i Kuq thotë se Konventat e Gjenevës që përmbajnë rregullat e luftës, duhet të respektohen në Irak. Shefi i operacioneve të Kryqit të Kuq, Pierre Kraehenbeuhl tha se Konventat ndalojnë sulme të drejtëpërdrejta kundër civilëve dhe kërkojnë që palët të tregojnë kujdes për jetën e civilëve. ”Duhet bërë kujdes për të minimizuar vuajtje të panevojshme dhe dëme të shumta në njerëz nga armët që do të përdoren. Sigurisht që sulmet duhet të kryen duke bërë dallimin midis civilëve dhe objekteve ushtarake. Përsa i përket përdorimit të njerëzve si mburojë, sipas ligjit ndërkombëtar është e ndaluar të përdoren qytetarët si kërcënime për sulmet dhe që ata të vendosen në vende që janë objektiva të mundshme ushtarake për tu goditur”, tha zoti Kraehenbeuhl.

Konventat e Gjenevës gjithashtu përcaktojnë që të mbrohen të dëmtuarit dhe të burgosurit e luftës. Përdorimi i armëve biologjike dhe kimike është gjithashtu i ndaluar.

Ndryshe nga Kombet e Bashkuara dhe agjenci të tjera të ndihmave, Kryqi i Kuq vazhdon të mbajë presonelin e huaj në Irak gjatë luftës. Ata do të punojnë me punonjësit vendorë për të trajtuar të plagosurit, për tu dhënë ndihma ushqimore njerëzve të shpërngulur nga lufta, dhe për të riparuar sistemin e ujit në Irak.

Zoti Kraehenbuehl tha se si agjencia kryesore që jep këto shërbime në Irak, neutraliteti i Kryqit të Kuq duhet të respektohet. Ai tha se ekipi i Kryqit të Kuq në Bagdad dhe në veri të Irakut kanë qënë në gjendje të kryejnë detyrën e tyre.

Ndërkohë Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Ruud Lubbers u bëri thirrje vendeve fqinje me Irakun ti mbajnë të hapur kufijtë e tyre për njerëzit që po largohen nga luftimet. Zëdhënësi i agjencisë së refugjatëve, Kris Janowski, tha se agjencia u ka kërkuar qeverive fqinje të sigurojnë lirinë e lëvizjes së organizatave ndihmëse për në zonat e kufirit.

“Shpesh kur ka konflikt, qeveritë janë nervoze dhe kufizojnë lejimin e kalimit në zonat kufitare. Ne kemi nevojë për të hyrë në këto zona. Ne duam të sigurohemi që njerëzit nuk do të kthehen mbrapsht por do të mund ti ndihmojmë ata dhe qeveritë” tha zoti Janowski.

Agjencia e refugjatëve tha se është lejuar të ngre tenda dhe të grumbullojë ushqime në Iran, Turqi, Jordani dhe Siri për të ndihmuar refugjatët. Por agjencia thotë se Kuvajti dhe Arabia Saudite kanë mbyllur kufijtë e tyre për refugjatët irakianë.

//rd//

XS
SM
MD
LG