Lidhje

Kongresi:  Mbështetje për trupat amerikane - 2003-03-20


Ligjvënësit demokratë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë kritikuar politikën e administratës së presidentit Bush ndaj Irakut, janë bashkuar tani për të shprehur mbështetjen e tyre për trupat amerikane që marrin pjesë në operacionin ushtarak për çarmatosjen e Irakut. Senati pritet të miratojë një rezolutë, e cila do të shprehë mbështetjen për trupat.

Udhëheqësi i demokratëve në senat, Tom Deshëll, i cili shkatoi zemërimin e ligjvënësve republikanë, me kritikat e tij ndaj dështimit të përpjekjeve diplomatike të presidentit Bush për çështjen e Irakut, ofroi mbështetje të patundur për trupat amerikane të përfshira në misionin për çarmatosjen e Irakut.

"Kongresi kurdoherë është bashkuar për një qëllim të vetëm, në këtë rast për të mbështetur përpjekjet e trupave tona dhe për t’u lutur që ata të kenë kurajon e nevojshme, që të dalin me sukses dhe të kthehen shëndoshë e mirë dhe sa më shpejt në shtëpitë e tyre. Ne veprojmë sot në këtë mënyrë, me krenari dhe vendosmëri", tha senatori Deshëll.

Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nensi Pelosi, e cila ndryshe nga zoti Deshëll nuk e mbështeti rezolutën e vitit të kaluar, e cila e autorizonte presidentit Bush të përdorte forcën për çarmatosjen e Irakut, ishte e të njëjtin mendim me Senatorin Deshëll.

"Si amerikanë ne u qëndrojmë pranë ushtarëve tanë dhe komandantit të tyre, kryekomandantit tonë të përbashkët", tha ligjvenësja Pelosi.

Ndërkohë, ligjvënësit në Senat po debatojnë në lidhje me përparësitë ligjore, tani që ka filluar operacioni ushtarak në Irak.

Senati po debaton në lidhje me propozimin e presidentit Bush për buxhetin e vitit të ardhshëm. Por përfaqësuesi i demokratëve, në komisionin e buxhetit, senatori Kent Konrad i Dakotës së Veriut, tha se ligjvënësit duhet të përqëndrohen tek lufta.

"Mendoj se nuk është e përshtashme të vazhdojmë si zakonisht kur është fjala për përparësitë e fondeve për buxhetin, në kushtet kur vendi ka hyrë në luftë. Mendoj se kjo i dërgon mesazhin e gabuar vendit. Senati nuk mund ta bëjë tani një gjë të tillë".

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Bill Frist, nuk ishte dakord me senatorin Konrad.

"Të shmangësh përgjegjësitë në këto momente do të thotë mungesë përgjegjësie. Kjo është arsyeja përse si udhëheqësi i shumicës, them se ne do të vazhdojmë të veprojmë si më parë dhe do të bëjmë, siç e do e mira vendit. Kjo është përgjegjësia jonë, dhe ne do të bëjmë të mundur realizimin e saj".

Disa ligjvënës demokratë shprehën përsëri kritikat e tyre ndaj buxhetit të paraqitur nga presidenti Bush, duke thënë se në të nuk janë përfshirë fondet e nevojshme për veprimin ushtarak kundër Irakut.

Presidenti Bush pritet t’i paraqesë Kongresit në ditët e ardhshme një kërkesë për fonde shtesë për luftën.

XS
SM
MD
LG