Lidhje

Kosovë: Kosova mbështet fuqishëm veprimin ushtarak ndaj Irakut - 2003-03-20


Fillimi i luftës në Irak, po përcillet me interesim të jashtëzakonshëm në Kosovë, ku përfaqësuesit e institucioneve, partive politike dhe shoqatave të saj, vazhdojnë të mbështesin fuqishëm Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Mjetet elektronike të informimit vazhdimisht po përcjellin pamje kryesisht të stacioneve televizive amerikane. Zyrtarët vendorë duke bërë një krahasim me ish-shefin e regjimit serb Sllobodan Millosheviç, pohojnë se lufta e Shteteve të Bashkuara dhe forcave të koalicionit është e ligjshme, pasi sundimtarë të tillë si Saddam Husseini, nuk njohin gjuhë tjetër përvec asaj të forcës. Prandaj sipas tyre kjo luftë është në shërbim të paqes, sikundër që ishte edhe ajo në Kosovë, e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara.

Shoqatat e dala nga lufta e Kosovës kanë shprehur ndërkaq gatishmërinë për të ndihmuar edhe fizikisht luftën në Irak, ndërsa për nesër janë paralajmëruar manifestime në mbështetje të Shteteve të Bashkuara.

Nga ana tjetër forcat paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, pohojnë se ende nuk është bërë ndonjë ndryshim në misionin e tyre, ndërsa trupat amerikane në kuadër të KFOR-it kanë shtuar masat e sigurisë përreth vendqëndrimeve të tyre.

Misioni i Kombeve të Bashkuara ndërkaq ka përsëritur qëndrimin se zhvillimet në Irak nuk do të ndikojnë në punën e misionit në Kosovë, megjithë fërkimet ndërmjet Washingtonit dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. //ss//

XS
SM
MD
LG