Lidhje

Presidenti Bush: Nuk pranojmë alternativë tjetër, veç fitores - 2003-03-20


Fjalimi i plote i Presidentit Bush:

"Në këtë moment, forcat amerikane dhe ato të koalicionit kanë filluar fazën e parë të operacioneve ushtarake për të çarmatosur Irakun, për të çliruar popullin e tij dhe për të mbrojtur botën nga një rrezik i rëndë.

Me urdhërin tim, forcat e koalicionit kanë filluar të godasin disa objekte të zgjedhura, me rëndësi ushtarake, për të dobësuar aftësinë luftarake të Sadam Huseinit. Këto janë fazat hapëse të asaj që do të jetë një fushatë e gjerë dhe e bashkërenduar. Mbi 35 vende po japin mbështetje të rëndësishme, që nga përdorimi i bazave ajrore dhe detare, tek ndihma me informacione zbulimi dhe deri tek dërgimi i njësive luftarake. Secili vend në këtë koalicion ka vendosur të mbajë përsipër përgjegjësinë dhe të ndajë më pas nderin që i ka shërbyer mbrojtjes sonë të përbashkët.

Gjithë anëtarëve të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme: paqja në këtë rajon të trazuar dhe shpresat e një populli të shtypur varen nga ju. Ata me të drejtë besojnë tek ju.

Armiku me të cilin do të ndesheni do ta njohë së shpejti aftësinë dhe guximin tuaj. Njerëzit që ju do të çlironi do të jenë dëshmitarë të nderit dhe ndershmërisë të ushtrisë amerikane. Në këtë konflikt Amerika ndeshet me një armik i cili nuk respekton rregullat e luftës ose kodet e moralit. Sadam Huseini ka vendosur trupa irakiane dhe pajisje në zona civile, duke u përpjekur të përdorë njerëz të pafaajshëm, gra e fëmijë si mburoja për ushtrinë e tij. Ky është krimi i fundit kundër njerëzve të tij.

Amerika dhe gjithë bota duhet ta dijë se forcat e koalicionit do të bëjnë çdo përpjekje për të mbrojtur civilët e pafajshëm nga lufta. Një fushatë ushtarake në terrenin e vështirë të një vendi me madhësinë e Kalifornisë, mund të jetë më e gjatë dhe më e vështirë se sa parashikojnë disa. Dhe ndihma për irakianët që të krijojnë një shtet të bashkuar, të qëndrueshëm dhe të lirë do të kërkojë angazhimin tonë të gjatë.

Ne po shkojmë në Irak me respekt për qytetarët e tij, për civilizimin e tij të lashtë, dhe për besimin fetar që ata praktikojnë. Në Irak ne nuk kemi asnjë ambicie, veç largimit të kërcënimit dhe t’i rikthejmë popullit kontrollin ndaj vendit të tij.

E di që familjet e forcave tona ushtarake po luten që ushtarët tanë të kthehen të sigurtë dhe shpejt. Miliona amerikanë po luten për ju, për sigurinë e familjeve tuaja dhe për mbrojtjen e njerëzve të pafajshëm. Për sakrificat tuaja, ju keni mirënjohjen dhe respektin e popullit amerikan. Të jeni të sigurtë se forcat tona do të kthehen në atdhe menjëherë sapo të mbarojnë detyrën.

Vendi ynë nuk e kërkoi këtë luftë, megjithatë qëllimi ynë është i sigurtë. Populli i Shteteve të Bashkuara, miqtë dhe aleatët tanë nuk do të jetojnë nën mëshirën e një regjimi të paligjshëm që kërcënon paqen me armë të shkatërrimit në masë. Ne do ta përballojmë këtë kërcënim tani, me forcat tona të këmbësorisë, ajrit, detit, rojen detare dhe marinsat, që të mos e përballojmë atë më vonë me zjarfikësa, policë dhe doktorë në rrugët e qyteteve tona.

Tani që konflikti filloi, rruga e vetme për të shkurtuar kohëzgjatjen është përdorimi i forcës vendimtare. Dhe të jeni të sigurtë, kjo nuk do të jetë një fushatë me masa gjysmake, dhe ne nuk do të pranojmë përfundim tjetër veç fitores.

Ne do t’i përballojmë rreziqet që i kanosen vendit tonë dhe botës. Ne do ta kapërcejmë këtë kohë rreziqesh dhe do të kryejmë detyrën ndaj paqes. Ne do të mbrojmë lirinë tonë. Ne do t’u sjellim lirinë të tjetërve dhe do të fitojmë."// lk //

XS
SM
MD
LG