Lidhje

Bush: synimi ynë zhdukja e një kërcënimi dhe çlirimi i popullit irakian - 2003-03-20


Presidenti Bush tha se synimi i operacionit të parë të fushatës ishte të minohen aftësitë e Sadam Huseinit për të bërë luftë. Në një fjalim që u transmetua nga rrjetet televizive, presidenti tha se do të përdoret forcë vendimtare, por paralajmëroi se fushata ushtarake në Irak mund të jetë më e gjatë dhe më e vështirë sesa është parashikuar nga disa.

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë synime të tjera në Irak përveç zhdukjes së një kërcënimi dhe çlirimit të popullit irakian.

Njoftimin zyrtar e bëri zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer. “Fazat e para të çarmatimit të regjimit irakian filluan”, tha ai.

Më pak se gjysmë ore më pas, ndërsa sirenat e bombardimit ajror dëgjoheshin mbi Bagdad, Presidenti Bush iu drejtua popullit amerikan. Ai foli për një sulm ndaj “një objektivi të rastit” dhe e bëri të qartë se ky ishte vetëm fillimi. “Tani që konflikti filloi, e vetmja mënyrë për të kufizuar kohëzgjatjen e tij është përdorimi me vendosmëri i forcës. Dhe unë ju siguroj që kjo nuk do të jetë një fushatë gjysmake. Dhe nuk do të pranojmë rezultat tjetër veç fitores”, tha Presidenti Bush.

Vala e parë e sulmit, ishte e papritur për shumë njerëz. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pritej që të sulmonte natën. Por bombat e para e goditën Bagdadin kur në kryeqytetin irakian po zbardhte dita.

Ishte një sulm i kufizuar, si paralajmërim për një ndërhyrje të madhe, por nuk kishte asgjë të ngjashme me një mësymje të përgjithshme. Ndërsa rreth 300 mijë trupa të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara janë gati për të hyrë në Irak, presidenti u zotua për fitore.

“Vendi ynë hyn në këtë konflikt pa dëshirë. Megjithatë ne jemi të vendosur. Populli i Shteteve të Bashkuara dhe miqtë e aleatët tanë nuk do të jetojnë në mëshirën e një regjimi të paligjshëm që kërcënon paqen me armë të vrasjes masive”, tha Presidenti Bush.

Zëri i tij ishte i zymtë, ndërsa fliste për misionin që sapo ka filluar. Presidenti i tha popullit amerikan se për ta kryer misionin do të bëheshin sakrifica dhe nuk do të ishte e lehtë. “Një fushatë në terrenin e ashpër të një vendi të madh sa Kalifornia, mund të zgjasë më shumë dhe të jetë më e vështirë se sa ç’mund të parashikohej dhe që irakianët të arrijnë të kenë një vend të bashkuar, të qëndrueshëm dhe të lirë duhet angazhimi ynë i vazhdueshëm”, tha presidenti Bush.

Goditjet e para ajrore u bënë më pak se dy orë pasi skadoi afati brenda të cilit Saddam Husseini dhe bijtë e tij duhej të largoheshin nga Iraku. Gjatë gjithë ditës së djeshme zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk pranuan të thonin se kur mund të fillonte veprimi ushtarak, por thanë vetëm se presidenti do të vepronte kur të ishte gati.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka arritur në ndonjë përfundim për vërtetësinë e një shfaqjeje në televizion të Saddam Husseinit, pas sulmit të parë mbi Irak.

Pak orë pas sulmit të parë, presidenti irakian u paraqit në televizion për të akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë se po kryejnë akte të turpshme kundër Irakut dhe kundër njerëzimit.

Udhëheqësi irakian iu referua presidentit amerikan si krimineli Bush i Riu dhe tha se kriminelët zionistë janë pas fushatës ushtarake kundër Irakut. Ndërkohë Presidenti Bush e filloi ditën me një takim me Këshilltaren për Sigurinë Kombëtare Condoleeza Rice mbi zhvillimet e natës në Irak. Ai u takua më pas me zyrtarë të lartë për të diskutuar për fazën e mëtejshme të luftës që filloi me goditjen e objekteve ku zyrtarët e zbulimit amerikan besojnë se po zhvillohej një takim i udhëheqësve të lartë irakianë. //kk//

XS
SM
MD
LG