Lidhje

SHBA në kontakt me anëtarë të udhëheqjes irakiane - 2003-03-21


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me anëtarë të udhëheqjes irakiane përmes kanaleve të ndryshme, në përpjekje për t’i bindur ata se rënia e Saddam Husseinit është e pashmangëshme dhe se ata nuk duhet t’u rezistojnë forcave të koalicionit.

Sekretari Powell nuk dha hollësi për kontaktet. Por ai tha se disa kanale me Bagdadin po mbahen hapur dhe se po përcillen mesazhe përmes palëve të treta, për t’i bindur figurat kryesore të atjeshme se ndryshimi i regjimit është i pashmangshëm dhe se kundërshtimi ndaj forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara mund të çojë vetëm në vdekje dhe dëme pa kuptim. "Forcat e koalicionit po përparojnë me shumë sukses. Mendoj se operacioni po shkon shumë mirë. Për të shmangur humbje të tjera jete, përveç atyre që mund të kenë ndodhur deri tani, do të ishte një veprim i urtë i udhëheqësve irakianë që ta kuptojnë se koha e tyre ka marrë fund dhe se kjo është e paevitueshme", tha sekretari Powell.

Zoti Powell, i cili i bëri komentet pas një takimi me Presidentin e Kamerunit Paul Biya, tha se po zhvillon bisedime të ngutëshme me udhëheqësit e Turqisë për të zgjidhur çështjet që po i pengojnë forcat amerikane të përdorin hapësirën ajrore turke për operacionet kundër Irakut, megjithë një vendim të parlamentit turk, i cili e lejon përdorimin e hapësirës ajrore. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk shohin nevojën që Turqia të ndërmarrë inkursione ushtarake në Irakun verior.

//rd//

XS
SM
MD
LG