Lidhje

Bush: SHBA nuk do të njohin alternativë tjetër në luftën kundër Irakut përveç fitores - 2003-03-22


Presidenti Bush iu drejtua edhe një herë amerikanëve duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin alternativë tjetër në luftën kundër Irakut përveç fitores.

Presidenti shprehu vendosmërinë për të arritur fitore në këtë luftë, por paralajmëroi gjithashtu se në një terren të vështirë dhe të gjerë si ai i Irakut, lufta mund të jetë më e gjatë dhe më e mundimshme se sa kanë parashikuar disa. Në fjalimin e përjavshëm në radio, Presidenti Bush deklaroi gjithashtu se forcat e koalicionit do të bëjnë çdo përpjekje për të mos dëmtuar civilët e pafajshëm.

Forcat amerikane dhe ato të koalicionit, tha presidenti Bush, kanë filluar një fushatë të bashkërenduar kundër regjimit të Sadam Huseinit. Në këtë luftë, koalicioni ynë është i gjerë, me më shumë se 40 vende nga mbarë globi. Kauza jonë është e drejtë: sigurimi i vendeve që ne u shërbejmë dhe paqja në botë. Misioni ynë është i qartë: çarmatosja e Irakut, eliminimi i armëve të tij të shkatërrimit në masë, dhënia fund e mbështetjes së terrorizmit nga ana e Sadam Huseinit dhe çlirimi i popullit irakian.

E ardhmja e paqes dhe shpresat e popullit irakian tani varen nga forcat tona luftarake në Lindjen e Mesme, të cilët po pasqyrojnë traditat më të larta të ushtrisë amerikane. Ata po e bëjnë punën e tyre me guxim dhe profesionalizëm, së bashku me aleatët më të mirë krahas tyre. Në çdo fazë të këtij konflikti, bota do të shikojë si fuqinë e ushtrisë tonë ashtu edhe shpirtin fisnik dhe të ndershëm të burrave dhe grave, që shërbejnë në ushtri.

Në këtë konflikt, forcat amerikane dhe të koalicionit përballen me armiq, që nuk përfillin konventa lufte ose rregulla morale. Zyrtarët irakianë kanë vendosur trupa dhe pajisje në zona civile, duke u përpjekur të përdorin burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm si mburoja për ushtrinë e diktatorit. Dëshiroj që amerikanët dhe e gjithë bota ta dinë se forcat e koalicionit do të bëjnë çdo përpjekje për të mos dëmtuar civilët e pafajshëm.

Një fushatë në teren të ashpër në një vend të madh mund të jetë më e gjatë dhe më e vështirë se sa kanë parashikuar disa njerëz. Dhe ndihma për irakianët që të krijojnë për vete një vend të bashkuar, të qëndrueshëm dhe të lirë do të kërkojë angazhimin tonë të vazhdueshëm. Pavarësisht se çkërkohet prej nesh, ne do ti çojmë deri në fund detyrat që kemi marrë mbi vete.

Këtë fund jave në mbarë Amerikën, familjet e ushtrisë tonë po luten që ushtarët tanë të kthehen të sigurt dhe sa më parë. Miliona amerikanë po luten me ta për sigurinë e të dashurve të tyre dhe për mbrojtjen e të gjithë njerzve të pafajshëm. I gjithë vendi ynë vlerëson sakrificat që bëjnë familjet e ushtarakëve dhe shumë qytetarë, që banojnë pranë këtyre familjeve po shfaqin mbështetjen e tyre në mënyra praktike, si për shembull duke u kujdesur për fëmijët e tyre, ose duke u riparuar shtëpitë. Të gjitha familjet që kanë të dashurit e tyre në këtë luftë duhet ta dinë se forcat tona do të kthehen pranë tyre sa po të kenë arritur objektivin.

Vendi ynë hyri në këtë konflikt me ngurrim por me një qëllim të qartë dhe të vendosur. Populli i Shteteve të Bashkuara si dhe miqtë dhe aleatët tanë nuk do të jetojnë nën mëshirën e një regjimi të jashtëligjshëm, që kërcënon paqen me armët e shkatërrimit në masë. Tani që konflikti ka filluar, e vetmja mënyrë për të kufizuar kohëzgjatjen e tij është përdorimi i forcës së vendosur. Kjo nuk do të jetë një fushatë masash gjysmake. Kjo është një luftë për sigurimin e vendit tonë dhe të paqes në botë, dhe nuk do të pranojmë alternativë tjetër përveç fitores, tha presidenti Bush në fjalimin e tij në radio.

//rd//

XS
SM
MD
LG