Lidhje

Turqia mohon njoftimet për dërgimin e trupave në Irakun Verior - 2003-03-22


Zyrtarët ushtarakë të Turqisë mohuan njoftimet se Ankaraja kishte dërguar të paktën një mijë trupa komando në pjesën veriore të Irakut. Këto njoftime u botuan sot në faqet e para të gazetave turke dhe mbizotëruan lajmet e stacioneve televizive turke. Por zyrtarët ushtarakë turq thanë sot se forcat turke nuk kanë hyrë në Irakun Verior të kontrolluar nga kurdët.

Edhe zyrtarët kurdë mohuan njoftimet për inkursione të reja në zonat nën kontrollin e kurdëve. Por në përgjigje të këtyre njoftimeve, Gjermania paralajmëroi sot Turqinë se do të tërhiqte personelin e saj nga ekipet e NATO-s që patrullojnë hapësirën ajrore të Turqisë në rast se forcat turke kalojnë kufirin dhe depertojnë në Irakun Verior.

Ministri i Jashtëm Joschka Fischer tha se pjesëmarrja e Turqisë në luftë do të krijonte një situatë krejtësisht të re dhe Gjermania nuk do të ndërlikohet në një konflikt të tillë. Dje, NATO-ja deklaroi se do të mbronte Turqinë nga një sulm i mundëshëm irakian.

Ndërkaq, Uashingtoni i ka bërë trysni Ankarasë që të mos dërgojë trupa në pjesën veriore të Irakut. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara mbi mundësinë e një konflikti midis trupave turke dhe forcave kurde, që do të ndërlikonte fushatën ushtarake amerikane kundër Sadam Husseinit. Por Turqia thotë se është e domosdoshme që të ketë një prani ushtarake në pjesën veriore të Irakut për të parandaluar kurdët që të krijojnë një shtet të pavarur pas përmbysjes së regjimit të Saddam Husseinit.

//rd//

XS
SM
MD
LG