Lidhje

Shtohen protestat kundër luftës - 2003-03-22


Ndërsa në Irak sulmet ajrore amerikane dhe ndërhyrja nga toka vazhdojnë, në botë po shtohen protestat kundër luftës

Në Kairo të Egjiptit, demonstratat u bënë të dhunshme, ndërsa protestuesit përpiqeshin të kalonin me forcë përtej kordonit të policëve para ambasadës amerikane.

Kjo ishte vetëm njëra prej protestave kundër luftës në gjithë botën myslimane, të cilat vazhdojnë që nga momenti kur forcat amerikane dhe britanike filluan ndërhyrjen në Irak. Shumë prej këtyre demonstruesve mendojnë se konflikti ka si objektiv besimin e tyre fetar. “T’i jepet fund agresionit dhe shtypjes amerikane ndaj islamit dhe myslimanëve”, tha një nga protestuesit.

Demonstrata të mëdha pati edhe në Australi ku shumë njerëz kundërshtojnë dërgimin në konfliktin e Irakut të ushtarëve nga qeveria. Në Shtetet e Bashkuara, protestuesit u përleshën me policinë dhe bllokuan trafikun për orë të tëra në Los Angeles.

Në Washington, veprimtarët protestuan para Shtëpisë së Bardhë, ndërsa në Çikago u zhvillua një nga protestat më të mëdha.

Në gjithë Evropën, qindra mijëra njerëz u mblodhën për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ofensivës ushtarake. Në Spanjë, një nga vendet e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, turma njerëzish dolën nëpër rrugë për të protestuar ndaj luftës. Kundërshtimi u duk qartë edhe në parlament ku ligjvënësit përplasën duart mbi tavolina.

Në Itali, ku qeveria është zotuar për të ndihmuar luftën, u organizua një nga protestat më të mëdha. 200 mijë fermerë, të ardhur nga gjithë Italia dolën dje në rrugët e Romës për të demonstruar.

Në Britani demonstratat kanë bërë që të bjerë mbështetja për qeverinë e Kryeministrit Tony Blair. Në një fjalim në televizion zoti Blair bëri thirrje për unitet tani që forcat britanike po luftojnë në Irak.

Në Bruksel policia përdori pompat e ujit për të zmbrapsur protestuesit para selisë së Bashkimit Evropian, ku udhëheqësit nuk arritën t’i kapërcejnë mosmarrëveshjet e shkaktuara nga lufta.

Presidenti francez dhe sekretari i jashtëm britanik mezi i dhanë dorën njëri-tjetrit. Pavarësisht nga ndjenjat kundër luftës mes udhëheqësve botërorë, takimi solli rezultate pozitive për Shtetet e Bashkuara. Udhëheqësit evropianë pavarësisht nga mosmiratimi për luftën, ranë dakord për të ndihmuar në rindërtimin e Irakut pas konfliktit.

//rd//

XS
SM
MD
LG