Lidhje

Miting i Partisë Demokratike në sheshin Skënderbej - 2003-03-22


Partia demokratike dhe aleatët e saj festuan sot pasdite në Tiranë 22 marsin e vitit 1992 kur demokratët u ngjitën për herë të parë në pushtet. Fitorja e tyre shënoi edhe fitoren për herë të parë pas më shumë se 45 vjetesh rregjimi komunist, të një force politike opozitare. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, deklaroi se ish komunistët në pushtet kanë zëvendësuar murin e Berlinit me atë të trafiqeve dhe korrupsionit duke i ftuar shqiptarët për t’i shembur këto mure dhe për ta çuar vendin drejt demokracisë dhe Europës.

Demokratët u rikthyen pas shumë kohësh sot në Sheshin Skënderbej në një miting, për të kujtuar atë që është bërë tashmë një feste e përvitshme për ta, 22 marsi i vitit 1992, kur për herë të parë ata erdhën në pushtet, vetëm pas një viti jete të pluralizmit shqiptar, duke shënuar kështu një kthesë në rëndësishme në historinë e vendit.

Mitingu i sotëm ishte më shumë një festë, e konceptuar me këngë, fishekzjarre dhe një skenografi të posaçme, ku në sfond ishte vendosur një mur i gjatë simbolik mbi të cilin ishin shkruar fjalët korrupsion, trafik, drogë, prostitucion.

Sipas kryetarit të partisë demokratike Sali Berisha, ky ishte muri me të cilin socialistët në pushtet kanë zëvendësuar murin e Berlinit: “Prandaj dhe sot kjo ditë e madhe ju fton ju, fton shqiptarët të bashkohemi, për të shembur muret, muret e rregjimit, për të ecur drejt Europës, drejt prosperitetit, drejt begatisë, drejt demokracisë”, tha zoti Berisha.

Sot, demokratët dhe aleatët e tyre e kujtuan 22 marsin vetëm kur disa muaj ndajnë nga një tjetër sfidë elektorale. Partia demokratike e cila ka humbur si zgjedhjet legjislative dhe ato vendore, megjithëse i ka konsideruar të manipuluara, po përpiqet për të rimarrë pushtetin që ju mungon prej disa vitesh.

Nëprag të zgjedhjeve vendore, demokratët janë hedhur në një sulm të hapur vecanërisht kundrejt kryetarit të Bashkisë së Tiranës, qendra më e madhe dhe më e rëndësishme politike. Sulmi i opozitës megjithatë është shtrirë pothuajse në të gjitha frontet, dhe flamuri i kësaj beteje politike është korrupsioni dhe krimi i organizuar, për të cilat ata akuzojnë ashpër socialistët në pushtet.

//rd//

XS
SM
MD
LG