Lidhje

Psikiatri  Jerrold Post: ka shumë mundësi që Sadam Huseini të jetë vrarë - 2003-03-23


Kur presidenti Bush i dha ultimatum Sadam Huseinit dhe dy djemve të tij që të largoheshin nga vendi brënda 48 orësh ose të përballeshin me forcën ushtarake të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, shumë njerëz thanë se udhëheqësi irakian as që do ta shqyrtonte mundësinë e largimit nga vendi. Pentagoni kishte thënë në mënyrë të përsëritur se për sa i përket strategjisë dhe fuqisë së ushtrisë amerikane, Operacioni Iraku i Lirë nuk mund të krahasohej me asnjë operacion të ushtrisë amerikane në të kaluarën. Duke u nisur nga ky vlerësim i Pentagonit, ç,mund ti shkojë në mënd Sadam Huseinit, si e imagjinon ai mbijetesën e tij përballë një fushate të tillë.

Sot, televizioni shtetror irakian tregoi përsëri presidentin irakian Sadam Husein duke u takuar me disa këshilltarë politikë dhe ushtarakë. Pamja të ngjashme u transmetuan edhe dje. Nuk është e qartë se kur janë bërë këto regjistrime dhe zyrtarët amerikanë thonë se nuk e dinë në se udhëheqësi irakian është gjallë apo jo.

Sipas disa njoftimeve, Sadam Huseini u plagos rëndë gjatë një sulmi amerikan me raketa kundër Bagdadit në orët e para të ditës së enjte, por këto njoftime nuk janë konfirmuar. Në një intervistë me korrespondentin e Zërit të Amerikës, David Borgida, Dr. Jerrold Post, psikiatër dhe drejtor i Programit të Psikologjisë Politike në Universitetin George Washington këtu në kryeqytetin amerikan, mendon se udhëheqësi irakian mund të jetë plagosur.

"Mendoj se ai mund të jetë plagosur, dhe ka pasur njoftime që dikush u nxorr me barelë pas sulmit të parë në mëngjesin e së enjtes në Bagdad. Deri tani ai do të kishte reaguar ashpër, ashtu siç vepron kur vihet me shpatulla për muri, duke përdorur armët e shkatërrimit në masë, të cilat janë nën kontrollin e tij. Në Irak kemi të bëjmë me një shoqëri që mbizotërohet nga një udhëheqës. Dhe në se ky udhëheqës plagoset, ose vritet, kjo do të pasohet me shpërbërjen e shpejtë të strukturave të pushtetit, sepse shumica e gjeneralëve dhe ushtarakëve të tjerë të lartë janë në ato pozita për shkak të frikës dhe kërcënimit.

Shpesh bëhet pyetja se në se Sadam Huseini është plagosur dhe është i stresuar, a do të vepronte ai në një mënyrë më të paarsyeshme, të paparashikueshme, apo do të vepronte ndryshe nga ç’do të pritej nga shumë njerëz?

Dr. Post thotë se duhet parashikuar që Sadam Huseini do të japë urdhër të përdoren armë kimike dhe biologjike kundër forcave të aleancës në teren si dhe kundër Izraelit, në se ai ka sistemet e duhura. Ekziston frika se udhëheqësi irakian do tu vërë zjarrin puseve të naftës, ashtu siç edhe ka vepruar. Ajo që shkon në mëndjen e Sadam është se në se nuk e përdor dot vetë naftën, asnjeri tjetër do ta përdorë atë. Çështja kryesore është: A do të zbatohen urdhërat e tij?

Shtetet e Bashkuara kanë bashkërenduar një politikë për ta veçuar Sadam Huseinin nga gjeneralët e tij të lartë. Sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld tha vitin e kaluar se gjeneralët mund të luajnë një rol të rëndësishëm në rindërtimin e Irakut, por në se ata angazhohen në përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, të gjitha mundësitë përjashtohen. Në se udhëheqësi irakian jep urdhër për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, tha presidenti Bush, gjeneralët e tij do të bënin mirë që të mos i zbatonin këto urdhëra.

Por për të ruajtur pushtetin, Sadam Huseini nuk është mbështetur vetëm tek gjeneralët. Në krah të tij ai ka dy djemtë, Udejin dhe Kusejin. Megjithatë i ndodhur përballë forcës ushtarake, psikiatri Post nuk mendon se asnjeri prej djemve të udhëhqësit irakian do të jetë në gjendje të qëndrojë në pushtet pas largimit të të jatit.

XS
SM
MD
LG