Lidhje

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten të angazhuara në rajonin e Ballkanit - 2003-03-23


Disa analistë kanë shprehur shqetësim se Shtetet e Bashkuara mund të mos i kushtojnë vëmendjen e duhur Ballkanit për arsye të angazhimit ushtark në Irak. Mirëpo, Filip Riker, zëvëndës- zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, në një intervistë me shefin e seksionit maqedonas të Zërit të Amerikës, kolegun tonë Vedran Andonovski, thotë se pavarësisht nga përqëndrimi i vëmendjes tek Iraku, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten të angazhuara në rajonin e Ballkanit.

Ndërkohë që këto ditë vemendja e Shteteve të Bashkuara është përqëndruar në luftën kundër regjimit irakian, disa kritikë të administratës amerikane thonë se Uashingtoni nuk do t’u kushtojë rëndësinë e duhur rajoneve të tjera të prekura nga konfliktet etnike ose ku qëndrueshmëria politike është e brishtë. Por zëvëndës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, thotë se megjithë angazhimin e forcave amerikane në Irak, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i kushtojnë një vemendje të rëndësishme rajonit të Ballkanit. Zoti Riker thotë se ai nuk parashikon ndonjë pakësim të pranisë amerikane në Ballkan.

Zoti Riker tha se Ballkani mbetet shumë i rëndësishëm për politikën e jashtme amerikane. Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë dëshmuar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me evropianët dhe me vendet ballanike për vëndosjen e qëndrueshmërisë dhe demokracisë në atë rajon. Duke permendur në mënyrë specifike Maqedoninë, ku ai ka sherbyer disa vjet, zoti Riker tha se Maqedonia nuk ka një mik më të mirë se sa Shtetet Bashkuara. Evropianët tani kanë marrë përsipër misionin ushtarak në Maqedoni nga NATO-jo. Ky vendim është mbeshtestur nga Shtetet e Bashkuara dhe kurrësesi nuk duhet të interpretohet si pakësim i angazhimit amerikan në Maqedoni dhe në Ballkan në përgjithësi. Zoti Riker tha se Departamenti i Shtetit i kushton një vëmendje të madhe Maqëdonisë dhe se Ambasadori amerikan në Shkup, Lavrence Butler, po punon në mënyrë aktive për qëndrushmërinë dhe demokratizimin e atij vendi.

Pyetjes në lidhje me vlerësimin e punës së qeverisë se re të Maqedonisë zoti Reeker ju përgjigj duke theksuar se dialogu është tepër i rëndësishëm dhe kjo shihet qartë në takimet që ka zhvilluar kohët e fundit kryeministri Branko Çervenkovski me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrimin, Ali Ahmeti. Kemi vënë re, tha zoti Reeker, se qeveria e koalicionit po bashkëpunon, duke u përpjekur për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Pikërisht ky është hapi i nevojshëm për të ecur përpara, tha zoti Riker, drejt ndërtimit të institucioneve demokratike, dhe sigurimit të begatisë së vendit.

Por, shtoi zoti Riker, në Maqedoni ka mjaft probleme gjatë periudhës së tranzicionit dhe zhvillimit të vendit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të japin ndihmesën e tyre për kapërcimin e këtyre problemeve. Shtetet e Bashkuara, tha ai, kundështsojnë me forcë çdo lloj ektremizmi. Presidenti Bush e ka bërë këtë të qartë me urdhërin e tij ekzekutiv -- një listë me emra të personave që kërcenojnë qëndrueshmërinë dhe interesat amerikane në Ballkan. Në këtë listë ishte i përfshirë edhe zoti Ali Ahmeti. Kjo listë, tha ai, rishqyrtohet herë pas here dhe emrat hiqen ose shtohen. Zoti Riker tha se ai nuk njohuri nëse emri i zotit Ahmeti është hequr nga lista.

Zoti Riker tha se Maqedonia ka përpara një sërë sfidash, si ristrukturimi i ekonomisë, hyrja e investimeve, çështja e korrupsionit, ashtu sikurse për të gjithë rajonin e Ballkanit. Sfida për këtë rajon, tha zoti Riker, mbetet bashkëpunimi midis grupeve të ndryshme etnike. Për të siguruar këtë, tha ai, nevojiten kontributi dhe përpjekjet e të gjithë qytetarëve. Pikërisht ky është synimi i politikës së Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit, në përgjithësi dhe në rastin e maqedonisë, në veçanti, përfundoi zoti Riker .

//rd//

XS
SM
MD
LG