Lidhje

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA përpiqet të minimizojë dëmet në radhët e civilëve - 2003-03-23


Fushata ushtarake për të çarmatosur Irakun dhe për të çliruar popullin irakian nga Sadam Huseini, vazhdon. Siç e bëri të qartë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e koalicionit të tyre, po përpiqen të minimizojnë dëmet në radhët e civilëve irakianë. Zoti Rumsfeld i dha këtë këshillë popullit irakian:

“Qendroni në shtëpitë tuaja dhe dëgjoni radiostacionet e koalicionit për udhëzime lidhur me ato që duhet të bëni për të qenë të sigurt dhe jashtë vijës së zjarrit. Civilë irakianë, mos shkoni në punë. Qendroni larg objekteve ushtarake dhe çdo qendre ku Sadam Huseini ka kaluar pajisje ushtarake. Janë marrë masa për t’u kujdesur për refugjatët dhe për personat e shpërngulur brenda Irakut. Nuk është nevoja që irakianët të kalojnë kufirin për të shkuar në vende të tjera. Dëgjoni udhëzimet se si të siguroni ushqime, ujë dhe barna mjekësore”. Për të ndihmuar popullin irakian Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në rajon një grup të madh për të ndihmuar në rastet urgjente. Në të vërtetë, thotë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, John Negroponte, ky është grupi më i madh që kemi krijuar deri më sot. Shtetet e Bashkuara kanë vënë mënjanë një fond prej më shumë se 16 milionë dollarësh për racione ushqimore dhe ndihma të tjera humanitare.

Qëllimi i koalicionit është çlirimi dhe jo pushtimi i Irakut. Koalicioni ka si qëllim të eliminojë rrezikun që përbën regjimi i Sadam Huseinit dhe t’i ndihmojë irakianët të arrijnë lirinë politike dhe ekonomike, që janë një e drejtë e qënieve njerëzore që nga çasti i lindjes. Siç tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld:

“Iraku i përket popullit irakian. Dhe pasi të përmbyset regjimi i Sadam Huseinit, ne duam të shohim që autoriteti administrativ dhe politik, të kalojë në duart e irakianëve sa më shpejt që të jetë e mundur”. Zyrtarë amerikanë kanë theksuar se forcat e koalicionit do të qendrojnë në Irak vetëm për aq kohë sa do të jenë të nevojshme për të përmbushur detyrën dhe asnjë ditë më tepër.

//rd//

XS
SM
MD
LG