Lidhje

Shqipëri: Bisedime me BE  për marrëveshjen e stabilizim-asociimit - 2003-03-24


Komiteti i përbashkët Shqipëri - BE nisi sot bisedimet në Tiranë lidhur me përmbushjen e kushteve për marrëveshjen e stabilizim – asociimit.

Delegacioni i ekspertëve të Brukselit që kryesohet nga zoti Reinhard Priebe, po shqyrton me palën shqiptare gjendjen e kriminalitetit dhe drejtesise shqiptare.

Ministri i Integrimit, Sokol Nako, tha se në qendër të bisedimeve janë vendosur këtë herë reformimi i policisë dhe strukturave të ndryshme të drejtësisë sipas standartave europiane. Ai theksoi se Shqipëria po punon për ta ndryshuar situatën.

Ndërsa zoti Priebe tha se “Shqipëria duhet të shënojë rezultate të shpejta dhe domethënëse në luftën kundër trafiqeve”.

Në takimin dyditor do të diskutohet situata kriminale në vend dhe sfida qe bota e krimit i bën forcave policore, prokurorisë dhe gjykatave. Problemet lidhen si me një reformë në ligjet e kësaj fushe, ashtu edhe me veprimtarinë konkrete për zbatimin e tyre.

Vëzhguesit pohojnë se krimi i organizuar ka marrë zhvillim të konsiderueshëm dhe gjen shpesh mbështetje e bashkëpunim edhe midis rradhëve të policisë, si edhe është e dukshme një mefshtesi e hetuesve dhe gjykatësve në goditjen ndaj tij.

Shqipëria arriti të hapë në fund të janarit bisedimet me Bashkimin Europian për marrëveshjen e stabilizim – asociimit, pas disa vjetësh përpjekje në këtë fushë.

Presidenti i Komisionit Europian, Romano Prodi, deklaroi në Tiranë gjatë ceremonive zyrtare me këtë rast se Shqipëria duhet të bëjë hapa thelbësore në reformat ligjore dhe ekonomike. Sipas tij, Bashkimi Europian kërkon që Tirana të përmirësojë sa më parë gjendjen në 4 fushat që vlerësohen më të rëndësishme: ligji i pronave, reforma zgjedhore, lufta ndaj krimit e trafiqeve, reduktimi i korrupsionit administrativ.

Deri në arritjen e marrëveshjes duhen edhe së paku 1 vit e gjysëm punë të pandërprerë për plotësimin e kushteve dhe standarteve europiane.

//rd//

XS
SM
MD
LG