Lidhje

Uashingtoni akuzon Moskën për shitje armësh Irakut - 2003-03-24


Shtetet e Bashkuara thonë se kanë fakte të besueshme, sipas të cilave, firmat ruse i kanë shitur pajisje ushtarake Irakut në kundërshtim me embargon e OKB-së. Presidenti Bush i telefonoi sot presidentit rus Vladimir Putin për të diskutuar rreth shitjes së pajisjeve Irakut. Moska i mohon këto akuza.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Flaisher thotë se administrata ka prova se firmat ruse i kanë shitur Irakut dylbi për të parë natën, raketa anti-tank të telekomanduara, si dhe pajisje elektronike të sofistikuara që mund të përdoren prë të për të çorientuar avionët, raketat dhe bombat e telekomanduara amerikane. Zëdhënësi Fleisher tha se këto shitje armësh janë shqetësuese dhe presidenti Bush e ngriti këtë problem gjatë bisedës telefonike me presidentin rus.

Zëdhënësi tha se presidenti rus e siguroi presidentin Bush se ai do të merret me këtë çështje dhe sipas zëdhënësit presidenti Bush tha se ai pret tani të njoftohet për rezultatet nga Moska. Në se akuzat për shitjet e armëve Irakut janë të vërtetë, kjo bie në kundërshtim me embargon e OKB-së. Zyrtarët rusë thonë se nuk i kanë shitur ndonjë gjë Irakut që bie në kundërshtim me rezolutat.

Zëvendës-shefi i Shtabit të qeverisë ruse, Alexei Volin, i mohon akuzat e Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se Moska nuk u ka shitur armë dhe sisteme armësh Irakut dhe se ajo ndjek me përpikmëri vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Rusia e kundërshton ndërhyrjen ushtarake në Irak, që synon përmbysjen e Saddam Husseinit dhe çarmatosjen e regjimit të tij. Ashtu sikurse Franca dhe Kina, Rusia, thotë se presidenti Bush, duhet t’i kishte dhënë më tepër kohë inspektorëve të armëve për çarmatosjen e Irakut, në mënyrë paqësore.

XS
SM
MD
LG