Lidhje

Forcat e koalicionit i janë afruar Bagdadit rreth 80 kilometra - 2003-03-25


Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara që po e ngushtojnë rrethimin e kryeqytetit të Irakut, Bagdad, po sulmojnë njërën prej linjave më të forta të mbrojtjes së Sadam Huseinit, njësitë e Gardës së tij Republikane, të stërvitur më së miri, e cila është vendosur përreth kryeqytetit. Komandantët e koalicionit po paralajmërojnë se gjatë ditëve të ardhshme mund të zhvillohen betejat më të ashpra.

Njoftohet se pararoja e trupave tokësore të koalicionit, divizioni i tretë i këmbësorisë i ushtrisë amerikane, është tani rreth 80 kilometra larg kryeqytetit irakian.

“Ndodhemi tani mbi 320 kilometra në brendësi të territorit irakian. Forcat po hasin në rezistencë sporadike”.

Gjenerali Stanley McChrystal i shtatmadhorisë së Pentagonit thotë se forcat aleate po kryejnë sulme kundër njësive të Gardës Republikane në jug të kryeqytetit irakian.

“Sulmet ajrore vazhdojnë të përqendrohen në objektiva kryesore të udhëheqjes së regjimit për të mposhtur kërcënimet me raketa balistike, për të dobësuar Garden Republikane dhe njësi speciale të Gardës Republikane.”

Ndërkohë që Bagdadi po i nënshtrohet bombardimeve të rënda, trupat e koalicionit që përparojnë nga jugu drejt kryeqytetit, u ndalën dje për shkak të parashikimeve të motit për stuhi të tjera rëre në shkretëtirën e Irakut. Korrespondentja jonë, Alisha Ryu po udhëton me korpusin e 5-të të ushtrisë amerikane në Irakun Qendror.

”Qartësia e shikimit ka rënë përsëri në disa qindra metra. Një stuhi e madhe rëre po afrohet. Sipas parashikemeve të motit, stuhia e rërës do të vijë të martën apo të mërkurën. Dhe në një rast të tillë, të gjithë helikopterët do të mbeten në tokë. Është tepër e vështirë që helikopterët të fluturojnë në një mot të tillë”.

Në fakt, ka patur edhe lajme të tjera jo të mira për forcat e koalicionit në luftë. Dy persona që dukej se ishin pilotë të kapur amerikanë, u nxorën mbrëmë në televizionin irakian, pasi Bagdadi njoftoi se 2 helikopterë amerikanë Apaçi ishin rrëzuar pas sulmit kundër njësive të Gardës Republikane. Pesë amerikanë të tjerë po mbahen gjithashtu robër lufte, pasi u zunë gjatë luftimeve të së djelës.

Po ashtu, në televizionin irakian doli Presidenti Sadem Husein, duke iu drejtuar vendit se së shpejti do të dilte fitimtar. Por zyrtarë amerikanë po vënë në pikpyetje nëse fjalimi është regjistruar disa ditë para goditjes me raketa dhe bomba anti-bunker të njërit prej komplekseve presidenciale të Sadam Huseinit në fillim të luftës javën e kaluar.

Megjithatë, zëvendës-kryeministri, Tarik Aziz, i siguroi gazetarët se udhëheqësi irakian është në formë të mirë dhe në kontroll të plotë të ushtrisë. Në Pentagon, nga ana tjetër, gjenerali Stanley McChrystal thotë se vëren shenja shkatërrimi të hallkave të komandës irakiane.

”Po vëmë re prova se urdhërat që po jepen nuk po zbatohen”, thotë gjenrali McChrystal.

Ndërkohë që lufta hyri sot në ditën e saj të 6-të, Presidenti Bush pritet të takohet këtë javë në Washington me kryeminsitrin britanik, Toni Bler, për të hartuar strategjinë e luftës.

//ze//

XS
SM
MD
LG