Lidhje

Presidenti Bush përgëzon trupat - 2003-03-26


Presidenti Bush u tha ushtarëve se trupat amerikane që po përparojnë drejt kryeqytetit të Irakut po ndeshen me disa nga luftëtarët më të egër të Sadam Huseinit. “Ushtria jonë po bën përparim në Irak, megjithatë kjo luftë nuk do të mbarohjë shpejt. Ndërsa ata i afrohen Bagdadit, njësitë tona të luftimit po hasin elementët më të dëshpëruar të një regjimi që ka marrë fund”, tha presidenti.

Presidenti Bush tha se njësitë e Gardës Republikane që mbrojnë kryeqytetin e Irakut janë tani nën “një sulm të drejpërdrejtë dhe intensiv”, siç tha ai.

Presidenti Bush tha se nuk mund ta parashikojë sesa do të zgjasë lufta, por është i sigurt se po vjen dita e larjes së hesapeve për udhëheqësin e Irakut. “Çdo ditë e më shumë Saddam Husseini po e humbet kontrollin mbi Irakun. Çdo ditë e më shumë populli i Irakut po i afrohet lirisë” tha presidenti.

Para fjalimit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha se presidenti Bush do të deklaronte se lufta po përparonte më shumë nga ç’ishte parashikuar, por zyrtarët thonë se presidenti vendosi ta hiqte atë fjali ndërsa po e rishikonte tekstin në aeroplanin presidencial, Air Force One.

Forcat amerikane dhe të koalicionit po ndeshin qëndresë të ashpër përreth qyteteve të Irakut Jugor dhe gjatë rrugës për në Bagdad , ku disa autokolona të rëndësishme me municione janë zënë në prita.

Që kur filluan luftimet javën e kaluar, presidenti është përpjekur që ta përgatisë publikun se fitorja nuk do të jetë aq e shpejtë sa ç’pritej më parë ngaqë disa analistë ushtarakë parashikuan se shumë trupa irakiane do të dorëzoheshin.

Presidenti u takua me zyrtarë ushtarakë dhe hëngri një drekë me trupat, para se të kthehej në Washington për t’u takuar me kryeministrin britanik Tony Blair.

Britania është partnerja më e rëndësishme në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut. Presidenti Bush thotë se aleanca është e bashkuar nga synimi për një Irak të lirë dhe paqësor dhe është i angazhuar për të ndihmuar në rindërtimin e vendit, kur të mbarojë lufta.

“Ne do ta ndihmojmë popullin e Irakut që të përfitojë nga të mirat e vetëqeverisjes dhe dhe të marrë përsipër detyrat që rrjedhin prej saj. Ato institucione do të krijohen në bazë të vetë kulturës dhe vendimeve të Irakut. Megjithatë diçka është e sigurt: 24 milionë irakianë kanë jetuar për një kohë shumë të gjatë nën shtypjen e një bande krimininale të dhunshme që e quan veten qeveri”, tha presidenti Bush.

Kryeministri Blair pritet t’i kërkojë presidentit që t’u japë Kombeve të Bashkuara një rol drejtues në administratën e Irakut të pasluftës. Dy udhëheqësit do t’u përgjigjen pyetjeve të shtypit nesër para se kryeministri Blair të shkojë në New York për bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan.

//rd//

XS
SM
MD
LG