Lidhje

Parlamenti maqedonas miraton ligjin për statusin e forcave të BEsë - 2003-03-26


Parlamenti i Maqedonisë e miratoi, përmes një procedure urgjente, Ligjin për Marrëveshjen e cila rregullon statusin e forcave të kryesuara nga Bashkimi Evropian në Maqedoni. Misioni i ri do të zëvendësojë trupat e Natos dhe do të ketë rreth 350 ushtarë me një mandat prej 6 muajsh.

Parlamenti i Maqedonisë me konsenzus miratoi sot marrëveshjen për rregullimin e statusit të forcave të misionit evropian "Konkordia" i cili më 31 mars do të zëvendësojë misionin e deritanishëm të NATO-s "Harmonia Aleate". Deputetët e të gjitha partive në Parlament votuan për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Ministrja e Punëve të Jashmte Ilinka Mitreva tha se kjo marrëveshje nuk dallon në esencë nga marrëveshja që e kishte Maqedonia me NATO-n. Ajo bëri të ditur se ky mision i forcave evropiane do zgjasë gjashtë muaj. 345 pjestarë nga vende të ndryshme të Evropës do të përbëjnë misionin e ri, që për herë të parë dislokohet në një shtet sovran.

Ministria e Jashtme maqedonase tha se strukturat e NATO-s edhe më tej do të jenë të pranishme në Maqedoni por me një rol këshillëdhënës.

Partia BDI konsideron se forcat perëndimore janë të nevojshme në Maqedoni për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe që të gjithë të jenë partnerë të barabartë në proceset ndërkombëtare.

Ndërkohë, PDSH vlerëson se këto forca duhet të jenë të efektshme në kryerjen e detyrës dhe se mandati i tyre duhet të zgjasë më shumë se gjashtë muaj, me që ka ngecje të proceseve, sipas partisë. PPD është e mendimit se pas dislokimit të forcave të BE duhet shtuar aktivitetet tjera për të ecur drejt strukturave evropiane. Edhe dy partitë më të mëdha maqedonase LSD dhe VMRO njëzëri votuan për Marrëveshjen e cila lejon misionin e ri të forcave të BE në vend.

//rd//

XS
SM
MD
LG