Lidhje

Presidenti Bush dhe kryeministri Blair ritheksuan vendosmërinë për ta fituar luftën në Irak - 2003-03-27


Presidenti Bush dhe kryeministri britanik Tony Blair thanë se lufta kundër Irakut po përparon ngadalë por pa u ndalur. Dy udhëheqësit premtuan se Sadam Huseini do të hiqet nga pushteti. Ata i bënë gjithashtu thirrje Kombeve të Bashkuara të rifillojë një program i cili lejon shitjen e naftës irakiane për të blerë ushqime për popullatën.

Dy udhëheqësit qëndronin në krah të njëri-tjetrit në shenjë uniteti gjatë konferencës së shtypit që u zhvillua në vendpushimin e presidentit Bush në Kemp Dejvid të shtetit Merilend.

Duke folur për gazetarët në përfundim të bisedimeve, presidenti Bush dhe kryeministri Blair ritheksuan vendosmërinë e tyre për ta fituar luftën në Irak.

Presidenti Bush tha se forcat aleate po përparojnë çdo ditë e më tepër. Ai shtoi se nuk mund të parashikonte se kur do të vinte fitorja por theksoi se objektivat e koalicionit po realizohen. "Ngadalë por në mënyrë të sigurt, populli irakian po çlirohet nga dara e terrorit që i ka zënë grykën", tha presidenti Bush.

Kur iu kërkua të shpjegojë se përse luftimet duken më të ashpra nga sa kishin pritur shumë njerëz, kryeministri Blair tha se lufta ka vetëm një javë që ka filluar dhe shtoi se nuk duhet arritur në përfundime të nxituara. Ai tha se deri tani është arritur shumë. "Ne do të vazhdojmë deri sa të kryhet detyra. Për mendimin tim nuk ka asnjë kuptim që të përpiqemi të vemë afate ose të shprehim hamendje sepse kjo nuk përcaktohet nga koha por nga natyra e vetë punës," tha kryeministri Balir.

Në bisedimet e tyre në Camp David ata folën jo vetëm për ecurinë e operacionit Iraku i Lirë por edhe për çështjen se ç’duhet bërë që të plotësohen sa më mirë nevojat humanitare në Irak. Në konferencën e shkurtër për shtyp, të dy udhëheqësit theksuan nevojën që Kombet e Bashkuara të rifillojnë programin naftë për ushqime i cili ishte pezulluar. Ky program, i filluar në vitin 1996, e lejon Irakun të shesë naftë në tregun botëror për sa kohë që me fitimet e shitjes të blihen ushqime dhe ilaçe për popullin irakian.

Presidenti Bush tha se kjo nevojë është urgjente. "Më shumë se gjysma e popullit irakian varet nga ky program për të siguruar ushqimet e vetme bazë. Kjo çsëhtje e ngutshme humanitare nuk duhet politizuar dhe Këshilli i Sigurimit duhet t’i japë sekretarit të përgjithshëm Annan kompetencat për të filluar dërgimin e ndihmave ushqimore tek njerëzit që kanë më shumë nevojë," tha presidenti Bush.

Nga ana e tij, zoti Blair tha se ata do të kërkojnë miratimin e rezolutave të Kombeve të Bashkuara për ndihmë humanitare dhe për çështje që lidhen me Irakun e pasluftës. Britanikët janë për një rol shumë më të madh të OKB-së në administrimin e Irakut pas luftës nga ç’janë amerikanët. Por kryeministri Blair nuk u vuri shumë rëndësi këtyre diferencave duke thënë se tani për tani, OKB-ja duhet të zgjidhë çështjen urgjente të ndihmës humanitare.

"Qendra e vemendjes duhet të jetë tani te programi naftë për ushqime. Sepse kjo është diçka që duhet ta zgjidhim me Kombet e Bashkuara në pak ditët e ardhëshme, tha kryeministri britanik.

Përçarjet brenda OKB-së lidhur me nevojën e një operacioni ushtarak për çarmatimin e Irakut janë shtrirë edhe në bisedimet mbi programin naftë për ushqime. Pas bisedimeve të tij në Camp David, kryeministri Blair u nis për në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për ta diskutuar çështjen me Sekretarin e Përgjithshëm Kofi Annan.

//rd//

XS
SM
MD
LG