Lidhje

Shkupi konfirmon interesin amerikan në lidhje me poligonin ushtarak të Krivollakut. - 2003-03-28


Zëdhënësi i presidentit të Maqedonisë, Borjan Jovanovski, i konfirmoi njoftimet për interesimin e Shteteve të Bashkuara për poligonin ushtarak të Krivollakut. Duke folur për gazetarët, zëdhënësi tha se presidenti Trajkovski po zhvillon këshillime me administratën e SHBA-së në lidhje me interesin e tyre për të hapur një qendër rajonale stërvitjeje në këtë poligon.

Kjo, sipas autoriteteve në Shkup do të paraqiste një hap të madh drejt afrimit dhe integrimit të Maqedonisë me Naton dhe do të nënkuptonte, sipas autoriteteve shtetërore maqedonase, përparim në bashkëpunimin rajonal dhe forcim i qëndrueshmërisë së Maqedonisë. Ndërkohë, një burim nga ambasada amerikane në Shkup i tha Zerit të Amerikës se në këtë fazë zyrtarët e ambasadës nuk dëshironin të bënin komente në lidhje me këtë. Poligoni i Krivollakut në Maqedoninë qendrore konsiderohet si pikë strategjike ushtarake në këtë pjesë të Ballkanit.

Autoritetet qeveritare në Shkup e kanë lënë në dispozicion këtë poligon në rast nevoje për forcat aleate në luftën kundër Irakut. Ndërkohë, presidenti Boris Trajkovsi e ka pranuar në përmbajtje propozimin mbi strategjinë kombëtare për siguri dhe mbrojtje dhe sipas zëdhënësit të tij, presidenti maqedonas e konsideron këtë program të përpiluar sipas standardeve moderne ndërkombëtare dhe nën frymën e marrëveshjes së Ohrit. Presidenti i Maqedonisë ka kërkuar që të ketë debat publik në lidhje me formulimin e tekstit para miratimit në Parlament.*kh*

XS
SM
MD
LG