Lidhje

Presidenca dhe Luftrat - 2003-03-28


Pavarësisht nga rezultati, lufta në Irak duket se do të jetë përcaktuese për mandatin e Presidentit Bush në Shtëpinë e Bardhë. Ajo do të përcaktojë ndoshta edhe të ardhmen politike të Presidentit.

“Ne do të mbrojmë lirinë tonë, do t’u sjellim liri të tjerëve dhe do të fitojmë”, tha presidenti Bush.

“Mendoj se nuk do të ekzagjeronim nëse do të thoshim se Presidenti Bush i ka varur fatet e mandatit të tij presidencial te kjo luftë me Irakun” , thotë Uill Marshall, President i Institutit Progressive Policy në Uashington. Ai dhe vëzhgues të tjerë politikë janë dakord me idenë se askush tjetër nuk mund të fitojë ose të humbasë më shumë nga rezultati i luftës me Irakun se sa Presidenti Bush. Vendimi i tij për ta çarmatosur me forcë Saddam Husseinin përputhet me stilin e tij si njeri që e pranon rrezikun, thotë Norm Ornstein, analist i Institutit American Enterprise.

“Rreziqet e mëdha sjellin edhe shpërblime të mëdha. Por ato mund të sjellin edhe katastrofa të mëdha”, thotë analisti.

Por presidenti e ka bërë të qartë se kërcënimi që përbën Saddam Husseini kërkon një qendrim të ri dhe të vendosur, megjithë rreziqet që kjo mund të sjellë në karrierat e njerëzve apo në marëdhëniet me vendet e tjera. Majkëll Frenk, analist i Fondacionit Heritage mendon se një politikë e tillë mund t’i japë presidentit Bush një vend të nderuar midis personaliteteve më të mëdha të historisë.

“Ai mund të dalë nga kjo luftë si një figurë e ngjashme me Winston Churchillin apo Teddy Ruzveltin, pra si një njeri që veproi sipas parimeve bazë, i cili e njohu rrezikun që po afronte dhe nuk e lejoi të kthehej në katastrofë për vendin, apo për aleatët”, thotë analisti Maikëll Frenk.

Ndërsa Ellën Lihtman, profesor historie në Universitetin American të Uashington shikon disa probleme në një strategji të tillë.

“Së pari kjo rrezikon prishjen e marëdhënieve me vendet e tjera, me udhëheqësit e tjerë dhe sidomos me opinionin publik botëror”, thotë zoti Lihtman.

Ai thotë se pas luftës, Presidenti do të ketë nevojë të kërkojë ndihmën e komunitetit ndërkombëtar.

“Ne mund ti bëjmë gjërat të vetëm, nga pikpamja ushtarake, por në vështrimin afatgjatë, nga pikpamja morale ne nuk mund të ecim dot vetëm, nuk mund t’i zhdukim të vetëm rrënjët e terrorit, të instabilitetit dhe të totalitarizmit në botë”, thotë analisti.

Politika e presidentit Bush ka ngjallur shqetësime midis atyre që e kritikojnë përdorimin e fuqisë amerikane. Sipas analistit Uill Marshall, kjo çështje duhet të shtrohet për zgjidhje pas luftës.

“Kur të largohet mjagulla e luftës, ne do të shikojmë një debat mjaft të rëndësishëm dhe global lidhur me përdorimin e fuqisë së Amerikës”, thotë zoti Marshall.

Por analisti Majkëll Frenk i shikon gjërat ndryshe.

“Kur të ketë mbaruar lufta, ne do t’i bëjmë një vlerësim të thellë marrëdhënieve me aleatët evropianë që kemi patur qysh nga mbarimi i luftës së dytë botërore. Po kështu ne do të rivlerësojmë rolin e Kombeve të Bashkuara si institucion”, thotë zoti Frenk.

Këto debate do të përcaktohen nga ecuria e luftës dhe nga rezultati i saj. Për shembull, nga numri i viktimave civile, nga dëmtimi i infrastrukturës irakiane dhe nga shpresat për një Irak të lirë. Por nëse punët shkojnë keq, kundërshtarët e luftës mund të kthehen kundër Uashingtonit politik dhe efektet e kësaj do të ndjeheshin në të gjitha forumet ndërkombëtare.

Nga pikpamja e politikës së brendshme, tani që zgjedhjet presidenciale janë në horizont, Presidenti po merre mbi vete rreziqe të mëdha, sepse po rrezikon vetë të ardhmen e tij politike.

“Politikisht, fati i Presidentit Bush do të varet më pak nga tanket që marshojnë sot në shkretëtirë se sa nga politikat e rindërtimit dhe nga gjendja e ekononomisë pas një viti”, thotë Lihtman.

“Nëse lufta në Irak përfundon pozitivisht dhe ne shikojmë rënie në vend që të shikojmë rritje të tregut të aksioneve, atëhere ekonomia do të jetë ndoshta tema qendrore së cilës presidentit nuk do t’i shmanget dot”, thotë analisti Maikëll Frenk.

Natyrisht, Presidenti Bush ka marrë një mësim nga i ati, i cili u dëmtua politikisht nga rënia ekonomike megjithë suksesin në Luftën e Gjirit.

“Presidenti Bush, ndryshe nga i ati, do ta shfrytëzojë plotësisht kapitalin politik që ka krijuar me popullaritetin e tij për të realizuar programin e tij të politikës së brendshme”, thotë Norman Ornstein i institutit Enterprise.

Dhe, siç e ka mësuar nga i ati, do të jetë pikërisht politika e brendshme ajo që do të përcaktojë se për kë do të votojnë amerikanët në zgjedhjet e vitit tjetër.

XS
SM
MD
LG