Lidhje

Për rindërtimin e Irakut do të duhen miliarda dollarë - 2003-03-29


Në javën e dytë të luftës, po rritet shqetësimi jo vetëm për përparimin e luftës, por edhe se çdo të bëhet pas saj. Cilat do të jenë nevojat urgjente të popullit të Irakut? Sa e vështirë do të jetë të vendoset shteti ligjor në Irak, pasi Saddam Husseini të jetë rrëzuar nga pushteti? Dhe sa do të kushtojë një gjë e tillë?

Shtetet e Bashkuara do të nisin rindërtimin e Irakut me ndoshta rreth 200 mijë trupa dhe specialistë civilë, në muajt e parë pas luftës. Detyra e tyre do të jetë shumë e vështirë: të rindërtojnë një vend të shkatërruar nga lufta dhe të brutalizuar nga dekadat e diktaturës së Saddam Husseinit.

Para luftës, rreth dy të tretat e popullit të Irakut vareshin nga ndihma e huaj në ushqime dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmave thonë se shqetësimi më i madh pas luftës do të jetë plotësimi i nevojave humanitare të vendit.

Ish-zëdhënësi i Pentagonit gjatë administratës së Presidentit Klinton, Kenneth Bacon është President i organizatës Refugees International këtu në Washington. Ai paralajmëron se kriza e ushqimit dhe refugjatëve në Irak mund të jetë e rëndë.

“Kombet e Bashkuara llogarisin se 20 për qind e popullsisë irakiane, rreth 5 milionë njerëz mund të shpërngulen, nëse lufta zgjat dy ose tre muaj. Nëse lufta zgjat më shumë, mund të shkaktohen mungesa të mëdha ushqimore në vend dhe nevoja të mëdha për barna”, thotë ai.

Pavarësisht nga kohëzgjatja dhe ashpërsia e konfliktit, shumë analistë besojnë se kriza fillestare humanitare në Irak duhet të përfundojë brenda 6 muajve pas përfundimit të luftës. Por ata tërheqin vëmendjen se mundësia e dhunës etnike dhe sektare mes tre grupeve kryesore të Irakut: shiitët, sunitë dhe kurdët, do të jetë një nga sfidat më të mëdha për rindërtimin e vendit. Dhe vëshguesit paralajmërojnë se konflikti mes këtyre grupeve mund ta rrisë krizën humanitare.

Michael O’Hanlon i Institutit Brookings e krahason situatën me përpjekjet amerikane për ndërtimin e demokracisë në Ballkan.

“Ne kemi qënë të pranishëm në Bosnje për 7 vjet e gjysmë. Nga njëra anë, aty ka patur një luftë civile më intensive sesa kriza në Irak. Nga ana tjetër, është njëlloj si në Irak: tri grupe kryesore etnike me një histori të hidhur të bashkëjetesës. Dhe mendoj se mund të arrish në përfundimin që po kaq e vështirë do të jetë edhe për Irakun, të paktën për një farë kohe. Duhet të ndërtohet një klasë krejt e re politike para se ky vend të jetë i gatshëm të ecë vetë”, thotë zoti O’Hanlon.

John Hulsman është analist i polikës së jashtme në Fondacionin Heritage këtu në Washington. Ai mendon se dy gabime janë bërë në zona si Kosova dhe Bosnja.

“Së pari nuk u bë e qartë se kush ka përgjegjësitë dhe çfarë kompetencash ka. Kompetencat më shumë përplaseshim me njëra-tjetrën dhe nuk ishin të qarta, kështu që kishte luftra bërrylash dhe beteja politike. Si rezultat përpjekjet nuk shkonin sipas një filli logjik. Së dyti, ideja e ndërtimit të shtetit nga lart poshtë që ndoqi administrata e Presidentit Klinton, ka dështuar në Haiti, Somali, Bosnje, Kosovë etj. I vetmi qëndrim që do të funksionojë është të përfshihen irakianët sa më shpejt në qeverisjen e vendit të tyre, sepse vetëm kur ata të kenë mbi shpinë përgjegjësi, ata do t’i bëjnë vetë ballë situatës”, thotë zoti Hulsman.

Shumë analistë paralajmërojnë se dekadat e tiranisë nën Saddam Husseinin, e bëjnë të vështirë kthimin e shtetit ligjor në Irak. Dhe meqenëse diktatori i Irakut ka vendosur besnikët e tij në stafin e administratës, një përpjekje e aleatëve për rindërtim do të duhet të përfshijë një ristrukturim të institucioneve qeveritare të Irakut.

Të gjithë janë të një mendimi se kostoja e rindërtimit të Irakut do të jetë e jashtëzakonshme. Vlerësimet llogariten nga 25 deri në 100 miliardë dollarë. Vetëm ndihma humanitare në vitet e para mund të arrijë në tre ose katër miliardë dollarë. Shpenzimet për qeverisjen e vendit mund të shkojnë nga 10 deri në 15 miliardë dollarë. Riparimi i infrastrukturës së vendit mund t’i kapërcejë 30 miliardë dollarët.

Rimëkëmbja e industrisë së naftës do të jetë shumë e rëndësishme për rigjallërimin e ekonomisë së vendit dhe për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve për rindërtimin e Irakut. Dhe një gjë e tillë mund të zgjasë vite të tëra. Por në planet afatgjatë, thonë analistët, ngritja e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese në Bagdad, do të jetë prova e vërtetë për rindërtimin e Irakut.

//ze//

XS
SM
MD
LG