Lidhje

Zyrtarë të lartë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian priten të hënën në Maqedoni - 2003-03-29


Komisioneri i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Havier Solana dhe kryetari i radhës i Bashkimit Evropian, Ministry i Jashtëm grek, Jorgos Papandreu, pritet të mbërrijnë të hënën në Shkup për të marrë pjesë në fillimin e misionit të forcave evropiane të mbrojtjes në Maqedoni, të koduar “Konkordia”.

Zotërinjtë Solana dhe Papandreu do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë maqedonas, presidentin Boris Trajkovski, kryeministrin Branko Cërvenkovsk dhe udhëheqës të partive politike. Po të hënën pritet të mbrrijë në Shkup edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson, i cili do të vizitojë gjithashtu Kroacinë e Bosnjë-Hercegovinën. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s pritet të takohet me zyrtarët më të lartë shtetërorë në këto vende ballkanike, me të cilët pritet të bisedojë lidhur me përpjekjet e tyre për t’u afruar me aleancën, për reformat në ushtritë e tyre dhe gjendjen në rajon.

Zotërinjtë Robertson, Solana dhe Papandreu pritet të marrin pjesë në ndërrimin e misionit të NATO-s në Maqedoni me atë të forcave evropiane të mbrojtjes, të cilat për herë të parë do të zhvillojnë një mision të tillë.

Maqedonia, Kroacia dhe Shqipëria kanë formuar Grupin e Adriatikut, si një mënyrë për të bashkërenduar përpjekjet e tyre për t’u afruar me strukturat evro-atlantike.

Po të hënën, pritet të zhvillohet një stërvitje e përbashkët në bazën ushtarake të Krivollakut, në Maqedoni, në të cilën marrin pjesë ushtarë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Kjo është stërvitja e parë e përbashkët midis ushtrive të të dy vendeve dhe synon të rrisë ndërveprimin midis dy ushtrive dhe arritjen e standarteve të NATO-s. Stërvitja pritet të hapet nga ministrat e mbrojtjes të dy vendeve, Pandeli Majko dhe Vllado Buçkovski. Në stërvitje pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues nga vendet e rajonit. //az//

XS
SM
MD
LG