Lidhje

Bush: Saddam Husseini tani kontrollon vetëm një pjesë të vogël të Irakut - 2003-03-29


Presidenti Bush thotë se forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara janë më pak se 80 kilometra larg Bagdadit dhe po i afrohen edhe më shumë kryeqytetit irakian. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush tha se Saddam Husseini tani kontrollon vetëm një pjesë të vogël të Irakut. Ai tha gjithashtu se mizoritë e fundit të kryera nga forcat irakiane provojnë “natyrën e egër të një regjimi që po vdes”. Presidenti premtoi përsëri se kriminelët e luftës do të dënohen rëndë për veprimet e tyre. Ndërkohë, sipas një sondazhi të gazetës Washington Post dhe televizionit ABC, përfundimet e të cilit u shpallën sot, 75 përqind e amerikanëve e mbështesin luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. Korrespondenti

Presidenti Bush zhvilloi një videokonferencë me anëtarë të kabinetit të tij të luftës për të diskutuar mbi luftimet e fundit. Në fjalimin e tij në radio, presidenti tha se forcat e koalicionit kanë bërë përparim të vazhdueshëm drejt kryeqytetit irakian, ku ato po përballen tani me disa nga luftëtarët më të egër të Saddam Husseinit.

“Ne po luftojmë tani kundër njësive më të dëshpëruara të ushtrisë së diktatorit. Luftimet janë të ashpra dhe nuk e dimë sesa do të zgjasin, por e dimë rezultatin e kësaj lufte. Regjimi i Irakut do të çarmatoset dhe do të rrëzohet nga pushteti. Iraku do të jetë i lirë”.

Presidenti Bush thotë se java e parë e luftimeve tregoi se Iraku vazhdon të sundojë përmes terrorit, duke ekzekutuar të burgosurit e luftës dhe duke vrarë civilët që nuk pranojnë të luftojnë. Presidenti tha se përkundrazi trupat amerikane po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të mos shkaktuar humbje jetësh të pafajshme.

Presidenti i kërkoi përsëri kongresit që të miratojë rreth 75 miliardë dollarë për të ndihmuar për shpenzimet e luftës gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Demokratët e Kongresit thonë se do ta miratojnë këtë shumë, por vënë në pikëpyetje përparësitë e presidentit për vitin e ardhshëm financiar, përfshirë planin e tij për shkurtimin e taksave me 726 miliardë dollarë.

//ze//

XS
SM
MD
LG