Lidhje

Larson: vendet evropiane duhet të bashkëpunojnë me SHBA në rindërtimin e Irakut pas luftës - 2003-03-29


Një zyrtarë i lartë amerikan u bëri thirrje vendeve evropiane që të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre rreth luftës dhe të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara në rindërtimin e Irakut pas luftës. Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë pohimet se kompanitë amerikane do të marrin pjesën më të madhe të kontratave për rindërtim.

Nën-sekretari amerikan i shtetit Alan Larson hodhi poshtë ankesat evropiane të kohëve të fundit se kontraktat kryesore për rindërtimin e Irakut po u jepen kompanive amerikane.

Zoti Larson - i cili është përgjegjës për çështjet e ekonomisë, biznesit dhe të bujqësisë pranë Departamentit të Shtetit - tha në një konferencë me gazetarët në Paris se diskutimi aktual i kontratave nuk është diçka e përshtatshme veçanërisht tani që po zhvillohet lufta.

“Kontratat që po diskutohen tani janë kontratat që përdorin parat e taksapaguesve amerikan për të siguruar shërbime të shpejta rehabilititimi. Këto përfshijnë aktivitete si rihapjen e porteve detare për shpërndarjen e furnizimeve me ushqime, rindërtimin e rrjeteve elektrike, shuarjen e zjarreve nëpër puset me naftë ashtu që pasuritë natyrore të Irakut të mos shkatërrohen.”

Zoti Larson tha se zgjedhja e kompanive amerikane për t’u marrë me këto aktivitete fillestare siguronte shërbime më të shpejta dhe më efikase. Ditët e fundit, kontrata prej disa miliona dollarësh u janë dhënë kompanive të mëdha amerikane. Mirëpo, zoti Larson tha se qeveria amerikane është e hapur tani dhe në të ardhmen ndaj ofertave të huaja.

Nën-sekretari amerikan i shtetit i bëri këto komente pas takimeve që zhvilloi në Bruksel dhe Paris në prag të takimit të nivelit të lartë të grupit të tetëshes, që do të mbahet në Evian të Francës. Mosmarrëveshjet transatlantike rreth luftës në Irak vazhdojnë, ndërkohë që vende anëtare të grupit të tetëshes, si Gjermania, Russia dhe Franca kanë dënuar fushatën ushtarake të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Evropianët dhe amerikanët kanë mosmarrëveshje edhe rreth shpenzimeve për rindërtimin e Irakut pas luftës. Mirëpo, zoti Larson i cilësoi raportet midis zyrtarëve amerikan dhe atyre evropian si shumë pozitive.

“Mendoj se mënyra më e mirë për tu marrë me ndjenjat e ndryshme që ekzistojnë në të dy anët e Atlantikut është që t’i përvishemi menjëherë punës. Na pretë shumë punë dhe kjo nuk do të arrihet po qe se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara nuk bashkëpunojnë.”

Zoti Larson nuk u shpreh drejtpërdrejt mbi shqetësimet e Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera kritike të luftën, që Kombet e Bashkuara duhet të luajnë rolin kryesor në rindërtimin e Irakut. Me kohë, tha ai, duhet të hartohen plane specifike mirëpo bashkësia ndërkombëtare duhet të bashkëpunojë ashtu si edhe në Afghanistan.

Ai tha se programi i OKB-së, naftë-për-ushqime mund të përdoret për ndihma humanitare afat-shkurtëra për Iraku. Përveç kësaj, tha zoti Larson, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të japin mbi 100 milion dollarë ndihma të menjëhershme humanitare.

Në planin afatgjatë, sipas zotit Larson, i ashtuquajturi ”Klubi i Parisit” mund të diskutojë rreth mënyrave për shlyerjen e borxheve të mëdha të Irakut.

//ze//

XS
SM
MD
LG