Lidhje

Valë sulmesh ajrore kundër objekteve në Bagdad - 2003-03-30


Avionët e koalicionit kryen të paktën tri valë sulmesh ajrore kundër objekteve në Bagdad dhe në zonat përreth si edhe kundër pozicioneve të forcave të Gardës Republikane. Mes objekteve që u goditën ishte Pallati Republikan i udhëheqësit irakian, Sadam Husein.

Ministri irakian i Informimit, Muhamed Said al-Sahaf, tha se bombardimet gjatë 24 orëve të fundit në Bagdad kanë shkaktuar vdekjen e 19 civilëve dhe plagosjen e më shumë se 100 të tjerëve. Ai tha gjithashtu se disa persona u plagosën dje në perëndim të kryeqytetit, kur avionët amerikanë bombarduan dy autobusa irakianë me civilë, të cilët ai i cilësoi si vullnetarë, përfshirë amerikanë, që po vepronin si mburoja njerëzore.

Zëdhënësi amerikan në Komandën Qendrore amerikane, gjeneral Vincent Bruks, tha se ai nuk kishte informacion rreth një sulmi të tillë dhe nuk mund ta konfirmojë atë. Ndërkohë, zyrtarë amerikanë thonë se Iraku ka dërguar forca të tjera në jug të Bagdadit si përforcime për njësitë e Gardës Republikane që mbrojnë kryeqytetin.

Forcat irakiane janë bërë objekt bombardimesh të vazhdueshme dhe zyrtarë amerikanë thonë se forcat tokësore të koalicionit kanë kryer të ashtuquajtura sulme provë për të vlerësuar forcën e Gardës Republikane.

Trupat tokësore të koalicionit që përparojnë në drejtim të Bagdadit, janë mbërthyer në luftime me forcat irakiane në qytetin Hindija, rreth 80 kilometra në jug të kryeqytetit.

Në Irakun Verior, njoftohet se forcat e koalicionit kryen sulme të tjera kundër pozicioneve irakiane në afërsi të qytetit Kirkuk. Luftimet vazhdojnë edhe në jug, përreth qytetit Basra, ku forcat britanike kanë ndeshur në qendresë të fortë irakiane.

Gjenerali Bruks: Nuk kanë ndryshuar rregullat e hapjes së zjarrit

Forcat amerikane në Irak thonë se do t’u përmbahen procedurave ekzistuese për sigurimin në postblloqet e ngritura në Irak, pavarësisht nga incidentet që sollën vrasjen e civilëve të paarmatosur në dy ditët e fundit.

Gjenerali Vincent Bruks, zëvendës drejtor i operacioneve në Komandën Qendrore Amerikane thotë se trupat amerikane rezervojnë të drejtën e vetëmbrojtjes si elementi kryesor i rregullave të hapjes së zjarrit.

Gjenerali Bruks foli me gazetarët pasi marinsat amerikanë vranë një shofer të paarmatosur irakian në një postbllok në jug të Irakut, disa orë pasi shtatë gra dhe fëmijë që udhëtonin me një mikrobus vdiqën në një incident të ngjashëm, pasi ushtarët amerikanë hapën zjarr ndaj tyre në një postbllok në afërsi të qytetit Najaf në qendër të Irakut.

Në incidentin e mikrobuzit, trupat amerikane thonë se qëlluan në drejtim të makinës, pasi udhëtarët brenda saj nuk iu bindën dy paralajmërimeve për të ndaluar.

Gjenerali Bruks thotë se po vazhdojnë hetimet mbi këto dy incidente, por ai akuzon trupat irakiane se i kanë vënë qëllimisht civilët në vijën e zjarrit:

“Nuk kemi ndryshuar asgjë në rregullat e hapjes së zjarrit gjatë ditëve të fundit. Është shtuar vigjilenca si rrjedhojë e taktikave që kemi parë se përdoren nga ky regjim në fushën e betejës si dhe të skuadrave të vdekjes që veprojnë atje”, tha gjenerali Bruks.

Trupat amerikane janë të tensionuara pasi katër ushtarë amerikanë u vranë nga një sulm vetëvrasës me bombë i kryer të shtunën nga një irakian në një postbllok ushtarak në afërsi të Naxhafit.

Zëdhënës ushtarakë e kanë akuzuar vazhdimisht qeverinë e Irakut se përdor civilë, veçanërisht gra dhe fëmijë, si mburoja njerëzore dhe se ka kërcënuar me vdekje meshkujt irakianë që nuk pranojnë të luftojnë për regjimin:

“Nga pikëpamja jonë, regjimi irakian i ka duart me gjak si rrjedhojë e vendimit dhe gatishmërisë për ta shrytëzuar në këtë mënyrë popullatën”, thotë gjenerali Bruks.

Ai iu përgjigj pyetjes nëse incidentet në postblloqe do të ndikonin negativisht në përpjekjet e koalicionit për të fituar përkrahjen e popullit irakian:

“Na vjen keq për humbjen e jetëve të civilëve, por në këto momente këto incidente mbeten të pashmangshme, ashtu siç kanë qenë në gjithë historinë”.

Gjenerali Brooks thotë se nuk ka prova për të konfirmuar një akuzë të ministrit irakian të informimit se avionët luftarakë amerikanë kanë sulmuar një autobus në Irakun perëndimor me të cilin udhëtonin shtetas të huaj që kishin dalë vullnetarë për të vepruar si mburoja njerëzore.

//ax//

XS
SM
MD
LG