Lidhje

Forcat speciale amerikane dhe britanike në veprim - 2003-03-30


Në fshehtësi të plotë, forca speciale britanike hynë në Irak. Madje këto forca tepër të specializuara ishin futur në Irak me një sërë misionesh të rëndësishme që përpara fillimit të luftimeve.

Brenda një jave, trupa të forcave speciale amerikane ishin njësitë e para që kapën dhe morën nën kontroll pjesë të tëra strategjike të Irakut. Një nga detyrat e tyre të para ishin të kërkonin për bazat e raketave irakiane SKUD si dhe vendet ku mund të ishin magazinuar mbushjet e dyshuara të tyre kimike e biologjike.

Një mision tjetër i rëndësishëm i këtyre forcave ishte të siguronin fushat kryesore naftëmbajtëse në jug dhe në veri të Irakut. Ato duhet të vepronin me shpejtësi, pasi Iraku u kishte vënë zjarrin disa prej puseve të naftës. Në pjesën perëndimore të Irakut, komandot amerikane dhe britanike zbarkuan me parashuta dhe kapën e morën nën kontroll dy aerodrome të rëndësishme në shkretëtirë.

Pistat ajrore të njohura me emrin H3 pritet të shërbejnë si bazat kryesore ajrore të forcave amerikane në rajonet perëndimore të Irakut. Analistët ushtarakë thonë se kapja e këtyre bazave do të lejojë mijëra trupa dhe pajisjet e tyre të sulmojnë forcat që mbrojnë Bagdatin nga perëndimi.

Gjenerali Vinsent Bruks, zëdhënës i forcave të koaliconit thotë se njësitë e forcave speciale po punojnë tani për të shkatërruar bazat që përdorin komandatët ushtarakë të Irakut. “Forcat speciale të koalicionit vazhdojnë misionet e tyre në gjithë Irakun. Një operacion i efektshëm u krye natën e kaluar në qytetin Al-Nazarija kur avionët e forcave speciale shkatërruan shtabin e dy njësive paraushtarake.”

Forcat speciale kanë marrë nën kontroll edhe pistat strategjike ajrore në territorin e kontrolluar nga kurdët në veri të Irakut. Rreth 1 mijë forca parashutiste amerikane kanë zënë pozicione së bashku me rreth 10 mijë forca kurde në afërsi të kufirit me Iranin. Këto forca kanë një mision tjetër: të godasin pozicionet e grupit ekstremist islamik, Ansar al-Islam që Shtetet e Bashkuara besojnë se ka lidhje me rrjetin terrorist të al-Kaidës.

Forcat speciale po përdorin aeroplanë spiunë pa pilot, të pajisur me video-kamera për të gjetur luftëtarët e këtij grupi. Aeroplani u jep komandatëve pamje reale nga fushëbeteja në mënyrë që të dinë se ku të godasin më me saktësi kundër luftëtarëve islamikë.

“Kur shikon vijat e fronit, vë re se ato janë shumë të hapura dhe është shumë e lehtë të zbulosh njerëzit dhe pozicionet e tyre”, thotë gjeneral Bruks

Komandantët e forcave speciale amerikane thonë se shumica e luftëtarëve të grupit islamik Ansar al-Islam po tërhiqen drejt kufirit me Iranin. Por ata shtojnë se do të duhen edhe disa ditë para se kodrat ku ndodhen këto forca, të konsiderohen të sigurta për forcat e koalicionit që të fillojnë të vendosen aty. //az//

XS
SM
MD
LG