Lidhje

Në Shkup po takohen ministrat e mbrojtjes të katër vendeve të rajonit - 2003-03-30


Ministrat e Mbrojtjes të katër vendeve të rajonit po takohen në Shkup një ditë para fillimit të stërvitjes ushtarake shqiptaro-maqedonase në një poligon të madh në Maqedoninë qendrore. Pandeli Majko, Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë, Boris Tadiq i Serbisë dhe Malit të Zi dhe Zëvendësministri i Mbrojtjes i Kroacisë Zllatko Galebiç po diskutojnë në takime të ndara me kolegun e tyre maqedonas Vllado Buçkovski mbi thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes midis vendeve respektive dhe në aspektin rajonal dhe mbi sigurinë rajonale.

Stërvitja e nesërme do të përcillet edhe nga përfaqësues të lartë ushtarak të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi dhe disa vendeve të tjera. Ndërkohë, po nesër një mision i ri ushtarak i BE për herë të parë në histori do të vendoset në një shtet dhe pikërisht në Maqedoni; misioni i emëruar Konkordia do ta zëvendësojë misionin e Natos Harmonia Aleate.

Nesër pritet të arrijnë përfaqësuesi i lartë i BE Havier Solana dhe shefi i diplomacië greke, aktualisht kryesues u radhës i BE, Jorgos Papandreu të cilët do të jenë të pranishëm në ceremoninë e marrjes së mandatit nga forcat evropiane në Maqedoni. Zotërinjtë Solana dhe Papandreu pritet të takohen me zyrtarët e lartë shtetërorë, Presidentin Trajkovski, Kryeministrin Cërvenkovski si dhe me kryetarin e BDI Ali Ahmeti.

Në një zhvillim tjetër, një shpërthim i fuqishëm ka tronditur herët në mëngjes banorët në afërsi të sheshit të Tetovës që për pasoja ka vetëm dëme materiale. Një bombë dore është hedhur para një bastoreje sporti, pronë e një shqiptari, i cili ka deklaruar se nuk mendon që shpërthimi ka të bëjë personalisht me të, por se bomba të jetë hedhur rastësisht në këtë vend. Policia thotë se i di motivet e autorëve të incidentit por nuk i bën të ditura ato. //ss//

XS
SM
MD
LG