Lidhje

Policia serbe pritet të lëshojë një urdhër arresti ndërkombëtar për bashkëshorten e Sllobodan Millosheviçit - 2003-03-30


Këto ditë, policia serbe gjeti kufomën e Ivan Stamboliçit. Trupi i tij, që kërkohej prej tre vjetësh, ishte gjithë shenja plumbash. Autoritetet filluan menjëherë marrjen në pyetje të personave të dyshuar, mes të cilëve edhe ndihmës të Mirjana Markoviçit, bashkëshortes së ish-presidentit Millosheviç.

Policia serbe thotë se zonja Markoviç nuk është akuzuar ende lidhur me këtë vrasje dhe nuk ka ende konfirmim të pavarur se ajo ndodhet në Rusi. Por, sipas policisë, zonja Markoviç ka patur ndikim të madh politik në kohën, kur është bërë vrasja e zotit Stamboliç dhe autoritetet duan ta marrin atë në pyetje. Policia serbe po zhvillonte hetime intensive për vrasjen e kryeministrit Zoran Xhinxhiç, kur rasti i zotit Stamboliç mori një kthesë të papritur. Gjatë ndalimit në polici dhe marrjes në pyetje të rreth dy mijë të dyshuarve për vrasjen e zotit Xhinxhiç, u gjet trupi i zotit Stamboliç në një gëlqerore në veri të Serbisë. Ai ishte zhdukur ndërsa po bënte vrap në një park të Beogradit në gusht të vitit 2000.

Zoti Stamboliç ka qënë president i Serbisë për një vit, kur u përmbys me puç nga Millosheviçi më 1987.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Dushan Mihajlloviç, thotë se hetimet për zotin Xhinxhiç kanë hedhur dritë të re për rastin e zotit Stamboliç dhe hetuesit tani besojnë se është rrëmbye dhe u vrarë nga forcat speciale të Millosheviçit.

Pas përmbysjes nga pushteti, zoti Stamboliç u tërhoq nga politika, por për të kishte fjalë se mund të vinte kandidaturën për të konkuruar kundër zotit Millosheviç në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000. Disa muaj më pas ai u zhduk. //az//

XS
SM
MD
LG