Lidhje

Zyrtarët e lartë amerikanë parashikojnë që beteja për Bagdatin do të jetë e ashpër - 2003-03-31


Ndërsa luftimet vazhdojnë në disa qytete mes forcave të koalicionit dhe atyre irakiane, zyrtarët e lartë ushtarakë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Donald Rumsfeld parashikojnë që beteja për të vënë nën kontroll Bagdadin, të jetë e ashpër. Për momentin, forcat e koalicionit kanë si synim të dobësojnë Gardën Republikane që rrethon kryeqytetin irakian, si masë paraprake për të ndërmarrë në ditët në vazhdim një ofensivë të gjerë për të hyrë në Bagdad.

Bombardimet e mbrëmshme (30 mars) mbi Bagdat kishin në shenjestër edhe pallatin presidencial të të birit të Sadam Huseinit, Udai. Sot, forcat amerikane kapën dhjetëra luftëtarë irakianë, gjatë luftimeve 80 kilometra në jug të Bagdatit. Tani luftimet janë përqëndruar pranë një ure ku forcat amerikane shpresojnë të kalojnë lumin për t’iu afruar kryeqytetit.

Në Basra, forcat e koalicionit sulmuan disa nga ndërtesat e partisë në pushtet Baath. Njoftimet bëjnë të ditur se disa qindra udhëheqës irakianë u vranë. Ushtarët amerikanë dhe britanikë, me ndihmën e informatorëve, zbuluan dhe shkatërruan rezerva të mëdha armësh.

Në Nasiria, trupat amerikane që po zhvillonin bastisje shtëpi më shtëpi, kapën trupa që dyshohen si forca paraushtarake irakiane, të cilat, siç thonë udhëheqësit e koalicionit, kanë udhëhequr sulme rezistence dhe kundër autokolonave amerikane me furnizime. Por koalicioni vazhdon sulmet mbi Bagdat dhe forcat elitë të Gardës Republikane të Sadamit.

Komandanti i forcave të koalicionit në Irak, Gjenerali Tommy Franks, tha se forcat aleate tokësore po luftojnë në një numër frontesh 100 kilometra përreth Bagdatit: "Një koalicion në rritje i përbërë nga 50 vende është më pranë çlirimit të Irakut dhe eliminimit të rrezikut që paraqesin armët e shkatërrimit në masë të këtij regjimi", tha gjenerali.

Por Ministri irakian i Informimit, Saeed Sahhaf, në dukje i palëkundur nga rrethimi i kryeqytetit, u zotua se do të organizohen sulme të reja kundër forcave amerikane dhe britanike: "Ata janë si gjarpëri, i cili tani ka arritur gjatësinë 500 kilometra, por ne do ta copëtojmë këtë gjarpër, tha zoti Sahhaf.

Në Washington, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld tha se ka mundësi që beteja për të marrë Bagdatin të jetë e ashpër: "Kemi ditë të vështira përpara, dhe duke pasur parasysh vështirësitë që pritet të paraqesin forcat e Gardës Republikane, përpara kemi ditë të rrezikshme", tha zoti Ramsfeld.

Ndërkohë që forcat e koalicionit përgatiten për sulm ndaj kryeqytetit, forcat speciale amerikane po punojnë për të kontrolluar zona në Irakun e veriut. Në rajonet kodrinore ku ishin vendosur forcat irakiane, u zhvilluan sulme ajrore të përqëndruara.

Paralelisht me luftimet, vazhdojnë edhe përpjekjet për të dërguar ndihma humanitare për irakianët. Këto përpjekje konsiderohen nga zyrtarët po aq të rëndësishme sa edhe operacioni ushtarak. Por dërgesat e mëdha mund të fillojnë vetëm pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Irak.

//rd//

XS
SM
MD
LG