Lidhje

Forcat Evropiane të Mbrojtjes filluan misionin e tyre të parë paqesor në Maqedoni - 2003-03-31


Forcat evropiane të mbrojtjes filluan sot misionin e tyre të parë, i cili do të zhvillohet në Maqedoni me emrin e koduar Konkordia. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson, nënvizoi se duke marrë këtë mision, Bashkimi Evropian tregon se projektit të saj për një politikë evropiane të mbrojtjes dhe sigurisë, i ka ardhur koha: “ Dorëzimi i sotëm i misionit është një shenjë vazhdimësie” tha zoti Robertson duke theksuar se Bashkimi Evropian do të vazhdojë punën e filluar nga NATO.

Zoti Robertson theksoi gjithashtu se NATO do ta mbështesë misionin e forcave evropiane dhe do të jetë gjithashtu këshilluese në çështjet e sigurisë.

Komisioneri i lartë evropian Havier Solana, nënvizoi se kjo është një ditë shumë e mirë edhe për NATO-n, edhe për Bashkimin Evropian.

“Ky mund të jetë misioni i parë i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, por jo misioni i parë në të cilin kanë marrë pjesë forcat nga vendet evropiane, theksoi zoti Solana duke shtuar se të gjitha operacionet që nga viti 2001 janë udhëhequr nga gjeneralë që vijnë nga vendet evropiane.

Presidenti maqedonas Boris Trajkovski tha se misioni i forcave evropiane në Maqedoni do të jetë i suskeshsëm dhe se përfundimi i suksesshëm i këtij misioni do të thotë përfundimi i fazës së fundit të konsolidimit të sigurisë, marrja e përgjegjësive të sigurisë plotësisht nga autoritetet maqedonase.

“Ky është një veprim historik, edhe për Bashkimin Evropian, edhe për Maqedoninë”, tha presidenti maqedonas duke vlerësuar misionin e parë paqësor të forcave evropiane të mbrojtjes.

Edhe kryeministri maqedonas Branko Cërvenkovski i cili u takua më parë me komisionerin e lartë evropian Havier Solana theksoi se pret që misioni i forcave evropiane të jetë i sukseshëm. Zoti Solana u takua sot edhe me kryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili mbështeti misionin e ri duke thënë se ai paraqet vazhdimësi të misioneve të mëparshme të NATO-s në vend. Zoti Ahmeti mori pjesë sot për herë të parë në një ceremoni të tillë.

//rd//

XS
SM
MD
LG