Lidhje

Sulmet vetëvrasëse taktikë ushtarake e Irakut - 2003-03-31


Iraku deklaroi se do të shtojë sulmet vetëvrasëse për të mposhtur ndërhyrjen amerikane. Një nga udhëheqësit e lartë të Irakut thotë se 4 mijë vetë nga vendet arabe kanë mbërritur në Irak, të gatshëm për të dhënë jetën me sulme vetëvrasëse. Nënpresidenti irakian, Taha Yassin Ramadan parashikon përhapje të sulmeve kundër trupave amerikane dhe britanike dhe kundër të gjithë atyre që i përkrahin ata, si në Irak edhe në vende të tjera në botën arabe.

Nënpresidenti irakian tha se do të përdoren sulme vetëvrasëse dhe çdo mënyrë tjetër për të ndaluar forcat e koalicionit. Ai tha se sulmi vetëvrasës i së shtunës nga një ushtar i veshur si shofer taksie pranë Naxhafit ishte vetëm fillimi. Televizioni i Irakut tha se Sadam Huseini e nderoi ushtarin pas vdekjes dhe i dha si shpërblim familjes së tij një shumë të madhe parash. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush dënoi ato që ai i quajti krime të Irakut.

“Bota e ka parë me sytë e vet natyrën mizore të një regjimi në agoni. Në zonat që janë ende nën kontrollin e tij, ky regjim vazhdon të sundojë përmes terrorit. Të burgorurit e luftës janë trajtuar në mënyrë brutale dhe janë ekzekutuar. Irakianët që nuk pranojnë të luftojnë për regjimin po vriten. Një grua irakiane u var, sepse përshëndeti trupat e koalicionit”, tha presidenti Bush.

Por çfarë do të bëjnë forcat e koalicionit për t’i luftuar këto taktika? Pentagoni thotë se megjithëse trupat do të jenë më vigjilente, rregullat e posaçme në bazë të të cilave ata veprojnë, nuk do të ndryshojnë.

Mijëra arabë po përpiqen të hyjnë në Irak

Përfaqësuesit ushtarakë amerikanë në Gjirin Persik thanë se nuk po lejojnë lëvizjen e njerëzve në shkretëtiren perëndimore të Irakut. Kohët e fundit ka patur njoftime se mijëra veta po përpiqen të hyjnë në Irak nga Siria dhe Jordania për të marrë armët në mbrojtje të Irakut kundër koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Gjenerali Vincent Brooks, zëvendës-drejtor i operacioneve në Komandën Qendrore Amerikane tha se njësitë e forcave speciale po kontrollojnë lëvizjet e njerëzve dhe të automjeteve kudo në shkretëtirën perëndimore të Irakut.

Ka patur njoftime se rreth 4 mijë irakianë dhe arabë të kombësive të tjera janë nisur ose kanë ndërmend të nisen për në Irak për të ndihmuar në mbrojtjen e këtij vendi pas ndërhyrjes ushtarake të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara. Njoftohet se disa prej tyre kanë dalë vullnetarë për të kryer misione vetë-vrasëse.

Gjenerali Brooks tha se forcat speciale amerikane po u mohojnë lirinë e veprimit dhe të lëvizjes të gjithë atyre që përpiqen të udhëtojnë në autostradat që vijnë nga Jordania dhe Siria. Ai tha se ushtarët po ndalojnë dhe po kontrollojnë automjetët dhe disa njerëz i kanë kthyer mbrapsht duke u thënë se është rrezik të hyhet në një zonë ku kryhen luftime.

Gjenerali Brooks tha se forcat speciale amerikane janë në gjendje të identifikojnë njerëz ose automjete që mund të jenë të rrezikshëm si dhe t’i sulmojnë e t’i asgjësojnë nëse është nevoja.

XS
SM
MD
LG