Lidhje

Luftimet në frontin verior - 2003-03-31


Në frontin verior të luftës në Irak, avionët amerikanë goditën pozicionet ushtarake irakiane në afërsi të qytetit Kalak.

Sulmet ajrore detyruan trupa të qeverisë irakiane të ikin në drejtim të jugut, duke ndihmuar kështu luftëtarët kurdë të vënë nën kontroll më shumë territore. Disa shpërthime u dëgjuan sot në afërsi të Mosulit, qyteti më i madh në veri të vendit.

Njoftohet se ushtarët irakianë po riorganizohen në qytetin Kirkuk të pasur me rezerva nafte, 150 kilometra në juglindje të Mosulit.

Ndërkohë, forcat e koalicionit vazhdojnë kërkimet në një kamp në zonat kurde të Irakut verilindor që thuhet se përdorej nga grupi terrorist Ansar al-Islam.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se ky kamp, kryesisht i shkatërruar javën e kaluar, mund të ketë qënë burim i ricinit, helmi vdekjeprurës që u gjet nga policia britanike nga fillimi i këtij viti.

Forcat speciale në veri të Irakut

Forcat speciale dhe parashutistët amerikanë vazhdojnë përqëndrimin e trupave dhe pajisjeve në Irakun verior në përpjekje për të krijuar një front të dytë për operacione kundër ushtarëve të Sadam Huseinit në veri të Bagdatit.

Forcat e koalicionit kanë siguruar një fushë aviacioni në zonën autonome kurde dhe vazhdojnë pa ndërprerje dërgesat nga ajri. Forcat Ajrore amerikane po luajnë një rol kritik në hapjen e një fronti verior: Që kur 1 mijë parashutistë amerikanë nga Brigada e 173-të Ajrore zbritën në Irakun verior javën e kaluar, në aerodromin Bashur çdo ditë janë sjellë ushtarë dhe pajisje të tjera.

Operacionet masive ajrore vazhdojnë dhe buldozerët dhe kamionët hapin terrenin për pajisjet dhe automjetet që po sillen.

Përforcimet vazhdojnë të arrijnë, ndërkohë që goditjet e forcave të koalicionit nga ajri janë shtuar në vijën ndarëse përgjatë zonës autonome kurde.

Ushtarët irakianë janë tërhequr nga pozicionet e mëparshme dhe me sa duket po përforcojnë praninë e tyre përreth qytetit Kirkut, të pasur me rezerva nafte.

Koloneli Bob Allardis i Forcave Ajrore Amerikane drejton një avion të tipit C-17 Globemaster, i cili ka sjellë parashutistë dhe vazhdon të dërgojë pajisje në Irakun verior.

Në një intervistë telefonike nga një bazë ajrore e paidentifikuar, ai përshkruan momentin para hedhjes së ushtarëve me parashutë:

“Kur je vetë në avion, dëgjon thirjet e trupave. 100 parashutistë ngrihen në këmbë dhe fillojnë të thërasin, në një formë përgatitjeje psikologjike. Pastaj fillojnë të vrapojnë dhe hidhen nga pjesa e pasme e avionit. Shumë shpejt largohemi nga zona. Rreth një gjysmë ore më pas, ngjitemi në një lartësi të madhe dhe pas një ore jemi jashtë rreziku”, thotë koloneli.

Majori Scot Lemb është pilot i një avioni F-16, i cili ka kryer operacione bombardimi mbi Irak.

Megjithëse mbrojtja ajrore irakiane është dëmtuar rëndë nga bombardimet e koalicionit, Majori Lamb thotë se pilotët ende janë të shqetësuar lidhur me zjarrin e raketave tokë-ajër dhe të armëve të tjera kundërajrore.

“Nuk mund të thuash nëse ata po bëhen më të zgjuar apo jo, por ne jemi të përgatitur. Ne jemi në gatishmëri për të papritura që ata mund të na paraqesin”, thotë ai.

Në kushte moti të mirë, avionët e koalicionit kanë kryer deri në një mijë misione fluturuese në ditë.

Zyrtarët e Pentagonit thonë se që kur filloi lufta, pilotët e koalicionit kanë hedhur të paktën 6 mijë bomba dhe municion me precizion të lartë mbi objektet irakiane.

Togeri Methju Jork është pjesë e ekuipazhit në një cisternë ajrore që furnizon me karburant avionët luftarakë të angazhuar në sulme kundër ushtrisë së Sadam Huseinit.

Togeri Jork thotë se sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara më 11 shtator 2001 janë frymëzim i tij në luftimet e përditshme.

“U them fëmijëve: babi do të shkojë të dëbojë monstrat, dhe në thelb këtë po bëj. Unë po përpiqem të pengoj përsëritjen e 11 shtatorit në vendin tonë. Pikërisht këtu përqëndrohem dhe ky qëllim më shtyn përpara, për të mbrojtur fëmijë të tjerë që të mos vriten ashtu siç ndodhi më 11 shtator”, thotë ai.

Pentagoni kishte planifikuar të dërgonte trupa amerikane në Irakun verior përmes Turqisë, por u detyrua t’i shtynte planet për hapjen e një fronti verior kur parlamenti turk kundërshtoi dislokimin e trupave amerikane përmes territorit të tij.

Me ndihmën e forcave ajrore, koalicioni tani po e krijon këtë front dhe parashikon që së shpejti të sigurojë fushat naftëmbajtëse dhe të fillojë lëvizjen drejt jugut, ku trupat irakiane mbrojnë Bagdatin.

//ax//

XS
SM
MD
LG