Lidhje

Presidenti Bush: çdo ditë forcat e koalicionit i afrohen Bagdadit dhe fitores - 2003-04-01


Presidenti Bush tha se, ndërkohë që forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara përparojnë drejt Bagdadit, në të ardhmen na presin shumë rreziqe, duke përfshirë edhe mundësinë e sulmeve terroriste. Gjatë një vizite në portin e Filadelfias, presidenti bëri përsëri një lidhje midis udhëheqjes irakiane dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Presidenti Bush vazhdon të jetë i bindur, megjithëse paksa i përmbajtur, kur flet për luftën. Ai tha se çdo ditë forcat e koalicionit i afrohen Bagdadit dhe fitores.

“Dhe kur fitorja të vijë, ajo do të ndahet me popullin e shumë vuajtur të Irakut, i cili meriton liri dhe dinjitet.”

Presidenti Bush tha se janë korrur suksese në fushë betejat e Irakut, ku pjesa më e madhe e Irakut perëndimor dhe atij jugor është nën kontrollin e forcave të koalicionit. Megjithatë presidenti paralajmëroi se gjendja në Irak është e rrezikshme, duke theksuar se regjimi irakian ka sunduar nëpërmjet ngjalljes së frikës dhe mosbesimi është bërë pjesë e jetës për popullin irakian.

“Irakianët, që kanë treguar dashamirësi për forcat e koalicionit janë vrarë pa asnjë farë mëshire nga përkrahës të regjimit irakian. Populli i Irakut ka jetuar në këtë botë ankthi për më shumë se 2 dekada. Është e kuptueshme që frika dhe mosbesimi kanë rrënjë të thella.”

Presidenti i bëri këto komente në qendrën e Rojes Bregdetare në Filadelfia, një prej porteve më të mira në Shtetet e Bashkuara. Ai vuri në dukje rëndësinë historike të këtij qyteti dhe rolin e tij në lindjen e demokracisë amerikane.

“Këtu në qytetin ku Amerika vetë fitoi lirinë, unë bëj këtë zotim për qytetarët e Irakut: ne po vijmë me një forcë të madhe për ti dhënë fund sundimit të shtypësve tuaj.”

Por synimi i presidentit Bush ishte më shumë se sa ti dërgonte një mesazh popullit irakian. Ai i fliste gjithashtu popullit amerikan, duke theksuar lidhjen midis konfliktit në Irak dhe luftës kundër terrorizmit dhe duke u zutuar që të qëndrohet vigjëlentë kundër kërcënimit të vazhdueshëm terrorist.

“Ne e dimë se armiqtë tanë janë të dëshpëruar. Ne e dimë se ata janë të rrezikshëm. Regjimi, që po vdes në Irak, mund të përpiqet të krijojë teror në brigjet tona. Në pjesë të tjera të botës, rrjetet terroriste mund ta shikojnë këtë moment si mundësi për të sulmuar, duke menduar se ne nuk jemi të vëmëndshëm. Ata e kanë gabim.”

Duke folur para rreth 1 mijë anëtarëve të personelit të Rojes Bregdetare, presidenti Bush theksoi nevojën për të mbrojtur rrugët, qiejt dhe brigjet e Amerikës. Roja Bregdetare i është besuar për një kohë të gjatë detyra e zbatimit të rregullave që kanë të bëjnë me pikat e hyrjes në Shtetet e Bashkuara, portet, aeroportet dhe pikat kufitare. Tani Roja Bregdetare është zyrtarisht pjesë e departamentit të ri për sigurimin e atdheut, që ka për detyrë të ruajë këto pika të Amerikës nga sulmet terroriste.

//ze//

XS
SM
MD
LG