Lidhje

Departamenti i Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni - 2003-04-01


Departamenti Amerikan i Shtetit botoi dje raportin e tij vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë. Raporte të tilla për qëndrimin që mbajnë vendet e dryshme ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut shërbejnë për të përcaktuar politikën e jashtme ndaj tyre.

Sot kur bota e lirë po lufton kundër terrorizmit, liritë dhe të drejtat e njeriut marrin një vlerë shumë më të madhe se më parë. Sekretari i Shtetit Kolin Powell duke shpallur botimin e raportit bëri një lidhje të drejtëpërdrejtë midis të drejtave të njeriut dhe terroristëve.

“Aty ku lulëzojnë të drejtat e njeriut dhe liritë, nuk ka vend për terroristët dhe tiranët, nuk ka vend për kaos dhe konflikte rajonale,” tha Sekretari i Shtetit Pauëll.

Raporti akuzon regjimin e Sadam Huseinit për shkelje në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut. Raporti akuzon Gardën Republikane dhe forcat e tjera irakiane të sigurimit për vrasje, tortura, zhdukje personash, përdhunime dhe shkelje të tjera. Sekretari Pauëll tha se regjime si i Sadam Huseinit që shkelin pa mëshirë të drejtat e qytetarëve të tyre, kërcënojnë paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri

Në kapitullin për Shqipërinë, raporti veçon si një problem serioz që ndikon në sigurimin e brendshëm të vendit paaftësinë e forcave policore, profesionalizmi i të cilave pengohet nga korrupsioni.

Ndonëse ka patur përmirësime në disa drejtime, gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri vazhdon të mbetet e dobët. Policia vazhdon të shkelë të drejtat e personave të ndaluar, të dyshuar apo të arrestuar.

Sistemi gjyqësor vazhdon të jetë i dobët. Një problem serioz për të mbetet korrupsioni dhe trysnia nga pushteti ekzekutiv.

Por një nga problemet e tjera serioze për Shqipërinë është trafiku i qënieve njerëzore veçanërisht i femrave dhe fëmijve. Shqipëria vazhdon të shërbejë si një vend origjine dhe tranziti. Në këtë trafik ka patur raste që janë përfshirë edhe vetë forca policore.

Shqipëria, thuhet në raport, ka probleme serioze edhe me shfrytëzimin e shtypit për qëllime politike.

Gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë

Në Kosovë, thuhet në Raportin e Departamentit të Shtetit, liria e lëvizjes së pakicave etnike, kryesisht e banorëve serbë është një problem serioz. Rreth 100 mijë banorët serbë vazhdojnë të jetojnë në veri të Kosovës ose nëpër enklava nën mbrojtjen e KFOR-it. Procesi i kthimit të refugjatëve ka ecur shumë ngadalë.

Ndonëse dhuna ndaj pakicave etnike vazhdon të bjerë, ka pasur disa incidente serioze të kësaj natyre. Tensioni dhe dhuna fetare kanë vazhduar, ndonëse në nivele shumë më të ulta se një vit më parë.

Sistemi gjyqësor, si ai ndërkombëtar, edhe ai lokal vazhdojnë të jenë shumë të paaftë. Si rezultat të ndaluarit nga policia mbahen për një kohë të gjatë pa dalë në gjyq.

Disa anëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë akuzar për kërcënim dhe shantazh, megjithatë në përgjithësi disiplina e anëtareve të TMK është përmirësuar. Disa anëtarë të Trupave Mbrojtëse kanë mbështetur drejtëpërdretë ose kanë nxitur me forma të tjera dhunën politike në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, ndonëse kjo mbështetje ka qënë në një shkallë më të vogël se në vitin 2001.

Dhuna dhe diskriminimi ndaj grave si dhe trafikimi i femrave vazhdojne të mbeten një problem serioz për Kosovën.

Gjendja e të drejtave të njeriut në Maqedoni

Në Maqedoni, thekson raporti i Departamentit të Shtetit, gjendja e të drejtave të njeriut është e dobët, me përmirësime të vogla në disa fusha. Në shumicën e rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut, qeveria e ketij vendi ka marrë masa të pamjaftueshme, ose nuk ka marrë masa fare, për të hetuar dhe ndëshkuar policët përgjegjës për shkelje. Në vend ka arrestime dhe ndalime arbitrare.

Në Maqedoni vazhdon dhuna dhe diskriminimi ndaj grave, veçanërisht në rajonet e banuara nga shqiptarët. Trafiku i grave dhe vajzave për prostuticion vazhdon të përbëjë një problem për këtë vend.

Shtypi në Maqedoni nuk është tërësisht i pavarur. Pothuajse gjithë organet e shtypit janë të lidhura me interesa politike të caktuara, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetetit për te Drejtat e Njeriut. //ad//

XS
SM
MD
LG