Lidhje

Jugosllavia mund t'i ketë shitur armë Irakut - 2003-04-01


Lufta në Irak vë përballë armatimet ultra moderne perëndimore me armatimet e vjetëruara irakiane. Iraku është përpjekur të ngushtojë hendekun në teknologji duke blerë sisteme më moderne.

Hetuesit ndërkombëtarë pohojnë se Iraku ka marrë armatime ilegale me një vlerë prej 1 presje 5 miliard dollarë nga ish Jugosllavia, armë të cilat mund të jenë duke u përdorur edhe në luftën e tanishme.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një organizatë e pavarur me qendër në Bruksel e cila bën studime rreth rajoneve në konflikt, thotë se ish presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviç i shiste armë Irakut megjithë sanksionet e OKB-së për të mos e bërë një gjë të tillë dhe se kjo ka vazhduar edhe pas përmbysjes së tij në vitin 2000.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se mes armatimeve që i janë shitur Irakut janë municione antiajrore, predha artilerie dhe sisteme të telekomanduara që përdoren për raketat Scud. Madje, teknikët jugosllavë kanë riparuar motorrët e aeroplanëve luftarakë MIG, prodhim i ish Bashkimit Sovjetik.

Xhejms Llajën përfaqësues i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Beograd tha se Iraku ka blerë edhe teknologji për të ndërtuar raketa primitive Cruise.

“Ne e dimë gjithashtu se ata i shitnin Irakut edhe teknologji moderne për pilotimin me telekomandë, teknologji e cila mund t’i ketë ndihmuar ata për të transformuar disa nga avionët e tyre në diçka të ngjashme me raketa primitive Cruise që mund të drejtohen me telekomandë pa përdorur sisteme të kushtueshme komandimi”, thotë analisti.

Zoti Llajën tha se edhe disa teknologji kundër-ajrore që janë përdorur kundër aeroplanëve të NATO-s gjatë luftës në Kosovë duket se tani po përdoren nga mbrotja ajrore irakiane.

Ekspertët e Grupit Ndërkombëtar të Krizave pohojnë se tani ekzistojnë dyshime se disa armë kimike apo teknologji kimike kanë kaluar nga Jugosllavia në Irak.

Transferimi i armëve moderne është ndihmuar edhe nga korrupsioni. Zyrtarë të Grupit të Krizave pohojnë se një pjesë e madhe e fondeve që janë siguruar nga një transferim i tillë është kaluar nga Yugoimporti, kompani shtetërore e eksportimit të armëve, për në xhepat e zyrtarëve të lartë të Beogradit. Nikolas Uajt, shef i zyrës kryesore të Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Evropë, thotë se në ish Jugosllavi gjithnjë kanë ekzistuar marrëdhënie të ngushta midis qeverisë, ushtrisë dhe krimit të organizuar.

“Për të ardhur në pushtet, regjimi i pas Millosheviçit nuk kishte se si të mos hynte në allishverishe me ushtrinë për të garantuar heqjen e Millosheviçit. Pra, po ata njerëz vazhduan të vjelin të ardhurat madje mendoj se ka mundësi që në këtë proces janë përfshirë edhe disa anëtarë të qeverisë së re”, thotë zoti White.

Njoftohet gjithashtu se zyrtarët e ish Jugosllavisë kanë shitur armë edhe në Liberi dhe janë përpjekur që këtë ta bëjnë edhe në Birmani, që të dyja vende nën sanksionet e Kombeve të Bashkuara. Zoti White thotë se kur zyrtarët jugosllavë pyeten për këto gjëra, ata zakonisht justifikohen duke thenë se nuk kanë patur dijeni që ndaj atyre vendeve ishin venë sanksione ndërkombëtare. //ax//

XS
SM
MD
LG