Lidhje

Operacion i gjerë i policisë shqiptare kundër trafiqeve të paligjshme dhe drogës - 2003-04-01


Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, forca të shumta të policisë janë angazhuar në kontrollin e zonave të shumta të vendit.

Operacioni, ndër më kryesorët pas atij të gushtit të vitit të kaluar, ka si synim goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe kultivimit të drogës. Në det u angazhuan njësi me motoskafe, ndërsa disa helikopterë ushtruan kontroll nga ajri për të identifikuar terrene të mbjellura me Cannabis Sativa.

Sipas të dhënave të ofrura pasdite nga policia tre persona u arrestuan për shfrytëzim prostitucioni në qytetin e Shkodrës dhe Beratit. Të paktën 19 persona të tjerë janë shoqëruar në komisariatet e Fierit, Tiranës, Vlorës, Durrësit e Lacit për kultivim droge dhe kontrabande mallrash të ndryshme. Si rezultat u sekuestruan 41 kg hashish dhe u bllokuan dy punishte pijesh.

Aksioni i ndërmarrë nga policia u përqëndrua edhe në trafikun e emigrantëve klandestinë, në një kohë kur kanë filluar të ndjehen përpjekjet për rigjallërimin e këtij trafiku.

Në fakt, javën e shkuar u mësua se një grup shqiptarësh kishin mundur të zbarkonin në Itali në fund të muajit shkurt. Ngjarja u morr vesh pasi policia italiane zbuloi në një zonë mocalore pranë bregdetit të saj të paktën 5 trupa.

Ndërkohë që një familje vlonjate ka njoftuar për zhdukjen e dy djemve të saj, drejtues të një skafi të nisur nga brigjet e Lezhës. Të dy këto raste, megjithatë jane të vetmet të regjistruara në harkun kohor të 8 muajve.

Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti policia shqiptare ka arritur të shkatërrojë 11 organizata kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe të sekuestrojë afër 5 kilogram e gjysëm heroinë, e mbi 2700 kilogram marijuhanë si dhe të dy motoskafëve që shërbenin për transportin e drogës.

Sipas policisë mbi 70 persona janë arrestuar si dhe janë kapur 8 të tjerë të shpallur në kërkim për trafik droge. Mes tyre rezultojnë edhe disa anëtarë të rrjeteve të drogës që vepronin në Itali e Greqi.

//rd//

XS
SM
MD
LG